Më datë 28 prill 2012, ora 10:00, në ambientet e Universitetit Barleti, u organizua një takim me studentët Alumni të programeve Bachelor dhe Master ndër vite.
Ky është organizimi i parë i këtij lloji dhe synon të kthehet në një traditë. Ky rikthim në auditor u karakterizuar nga një frymë mirënjohjeje e dyanshme: qoftë e studentëve për formimin e marrë pranë institucionit tonë, qoftë e Universitetit Barleti për arritjet e ish studentëve të tij.
U quajt "Histori suksesi e Barletasve" sepse, përpos formimit të marrë në auditorët e Universitetit, këta ish studentë u shndërruan në profesionistë të vërtetë në fushat e tyre të studimit.
Figura qendrore e këtij takimi ishte ish studenti i UB, Erkand Qerimaj, i cili, në europianin e peshëngritjes në Antalia të Turqisë, nderoi jo vetëm veten dhe gjithë shqiptarët, por edhe Universitetin me medaljen e artë që morri. Fjalë shumë domethënëse dhe të sinqerta tha z. Marenglen Spiro, rektori i Universitetit Barleti, por edhe Prof. i nderuar i Akademisë së Shkencave, Z.Gudar Beqiraj.
Ata u shprehën se Erkand Qerimaj, ashtu siç është një profesionist në sportin e tij, ashtu siç e bën me pasion dhe përkushtim këtë sport, shumë i mirë do të jetë edhe në fushën ku ka kryer studimet, në atë të drejtësisë.
Më pas fjalën e mori ish studentja e shkëlqyer e degës Financë – Kontabilitetit, Bora Angjele, e cila u nderua më çmimin " diploma më e mirë e vitit 2011", çmim i dhënë nga banka e Shqipërisë. Gjatë fjalës së saj Bora u shpreh se kishte pasur gjithë mbështetjen e pedagogëve që ky punim të dilte sa më mirë dhe se ishte shumë e lumtur për çmimin e marrë.
Më pas, me radhë, të pranishmit dëgjuan historitë dhe kujtimet e mjaft ish studentëve të tjerë, si Marcela Kereku, Oltiana Habib, Robert Çelo, Rezarta Stafalla, Albana Ramabanaj, etj. Gjithashtu Edlira Osmani, aktualisht studente masteri në Austri dhe Eda Karaiskaj, studente në master në Itali, në pamundësi për të ardhur dhe me shumë dashuri dërguan për këtë aktivitet videot e tyre përshëndetëse.
Axhenda e këtij aktiviteti u pasua nga një koktej për nder të pranishmëve dhe nga një galeri fotosh, si një kujtim shumë i vyer nga Universiteti.
