Në kuadër të ciklit të leksioneve të hapura me personalitete të jetës politike të vendit dhe të huaj, me përfaqësues të organizmave ndërkombëtare dhe me diplomatë të akredituar në Shqipëri, Instituti Shqiptar për Çështje Publike (AIPA), në bashkëpunim me Universitetin Barleti, organizoi në datë 19 Prill 2012, në auditorin e Universitetit Barleti, leksionin e hapur mbi "Marrëdhëniet Italo-Shqiptare në kuadër të Integrimit Evropian". I ftuar ishte ambasadori italian në Shqipëri, Z. Massimo Gaiani.
Rektori i UB-së, Prof. Dr. Marenglen Spiro, i uroi mirëseardhjen ambasadorit Italian duke theksuar rëndësinë e vizitës së tij, ndërsa pedagogia e UB-së Eurona Leka bëri një prezantim të shkurtër të Institutit dhe të nismës së tij për të sjellë pranë studentëve personalitete, të cilët janë të gatshëm të ndajnë eksperiencat dhe perceptimet e tyre me ta në lidhje me çështje që prekin interesin e tyre.
Ambasadori Gaiani e nisi fjalën e tij duke shprehur kënaqësinë që është pranë studentëve dhe, mbi të gjitha, që është kthyer sërish në Shqipëri, pas eksperiencës së tij si pjesë e strukturave të integrimit evropian në vendin tonë.
Më tej, në fjalën e tij, ambasadori Gaiani u fokusua në dy boshte qendrore: marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë dhe këto të fundit të vendosura në kontekstin e integrimit evropian. Ai ritheksoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Italisë, marrëdhënie me përfitim të ndërsjellë, pasi të dy vendet përbëjnë porta hyrëse drejt hapësirash gjeopolitike të rëndësishme reciprokisht, dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha kohërat. Për më tepër, më shumë se 500 mijë shqiptarë jetojnë në Itali dhe kanë marrë shumë nga kultura italiane, ashtu siç edhe kanë dhënë në këtë kulturë.
Për ambasadorin italian, vendi i Shqipërisë është në Evropë. Ajo ka bërë hapa para me hyrjen në NATO dhe me liberalizimin e vizave, edhe pse ka ende për të bërë, ashtu siç ka ende çështje për të zgjidhur brenda vetë Bashkimit Evropian.
Për ambasadorin është e rëndësishme që një pjesë e madhe e popullsisë mbështesin integrimin në BE, por akoma më e rëndësishme është se është rritur numri i atyre që janë kundra apo skeptik, dhe kjo si pasojë e eksperiencave konkrete të tyre pas liberalizmit të vizave dhe krizës financiare që ka prekur vende të ndryshme brenda BE-së.
Në fund të fjalës së tij, dhe për tNULLiu përgjgjur pyetjeve të drejtuara nga studentët, ambasadori theksoi pikat e rëndësishme ku duhet të fokusohen forcat politike në Shqipëri për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.
