Sot paradite, datë 23 prill 2012, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nderoi studentin tonë Erkand Qerimaj, si njërën prej figurave më të njohura të sportit të peshëngritjes me një kontribut të çmuar në këtë fushë, me Urdhrin "Mjeshtër i Madh". Presidenti i Republikës evidentoi vlerat e rëndësishme njerëzore të dëshirës, vullnetit, pasionit, talentit, por dhe të atdhedashurisë, pasi ngriti lart flamurin shqiptar. Në këtë ceremoni dekorimi merrnin pjesë personalitete të shquara të fushës së sportit, artit e shkencës, akademikë, trajnerë, peshëngritës, përfaqësues të Universitetit Barleti, miq e familjarë.
Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kreu i Shtetit i dorëzoi Erkand Qerimajt Urdhrin "Mjeshtër i Madh" me motivacionin: "Për kontribut të shquar në sportin e peshëngritjes, si fitues i dhjetëra medaljeve ndërkombëtare e shpalljes kampion i Evropës për vitin 2012, duke lartësuar krenarinë kombëtare tek shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit".
Duke shprehur mirënjohjen e thellë për vlerësimin e lartë nga Presidenti i Republikës, si dhe duke vënë në dukje se ky është dhe një nderim e motivim edhe për të gjithë ata që me përkushtim të veçantë punojnë për të arritur suksese në fushën e bukur, por dhe të vështirë të sportit të peshëngritjes, kampioni i Evropës, Erkand Qerimaj, theksoi: "Në radhë të parë, falënderoj Presidentin e Republikës, për titullin! Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës sot! Jam shumë i nderuar, shumë i emocionuar për vlerësimin dhe për të gjitha sakrificat, për të gjitha mundimet që kam bërë, që po vlerësohen siç duhet. Ju falënderoj të gjithëve dhe shpresoj që do të mundohem në maksimum që të çoj flamurin shqiptar sa më lart përsëri!"
Ndër të tjera Presidenti Topi në fjalën e tij u shpreh se: "Erkandi është një model për të gjithë të tjerët, për të gjithë brezin e tij, për të kuptuar se sa bukur rrinë bashkë karakteri, struktura e fortë fizike, por edhe edukimi i një njeriu që jep një leksion shumë të mirë për të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm.
Presidenti i Republikës nuk rreshti së falënderuari Kampionin e Evropës për kontributin e dhënë si dhe për dhuratën që i bëri Shqipërisë në këtë 100 vjetor të pavarësisë. Shkëlqesia e tij Prof. Dr. Topi u shpreh se ishte i bindur që ky urdhër është vetëm një pjesë e vlerësimit, sepse në këtë moshë, me këtë motivim që tregon Erkandi, patjetër që do të rivijë në këtë mjedis për të marrë një titull tjetër më të lartë.
Universiteti Barleti uron edhe njëherë studentin tonë Alumni për këtë arritje dhe këtë urdhër që pason urdhrin e dhënë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe i uron sa më shume suksese në rrugën e tij profesionale.