Në datën 6 Prill 2012, në Universitetin "Barleti", u zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare me tematikë "Pushteti Gjyqësor dhe Integrimi Evropian". Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti i Drejtësisë së Universitetit Barleti në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë dhe Shkencave Administrative të Universitetit Andrei Saguna, Konstancë, Rumani.
Në këtë konferencë morën pjesë lektorë shqiptarë dhe rumunë, gjyqtarë dhe përfaqësues të Unionit te Gjyqtarëve të Shqipërisë, ekspertë të mirënjohur të të drejtës, pedagogë, studentë të Universitetit Barleti dhe të universiteteve të tjera, të sistemit bachelor, master dhe doktorantë, ndër të cilët vlen të përmendim: Dr. Elena Manea, Dr. Ilir Panda, Dr. Jordan Daci, Drnt. Ledian Droboniku, LL.M, Msc. Edlira Lloha, LL.M Aida Bushati, LL.M Elona Bano, MSc. Valbona Alikaj, si dhe gjyqtarët Sandër Simoni, Ervin Metalla dhe Luan Hasneziri.
Vlen të përmendet që ky aktivitet ishte bashkëpunimi i parë akademik i një universiteti shqiptar me një universitet rumun. Problematikat kryesore që u trajtuan në këtë konferencë lidheshin me historikun e gjyqësorit shqiptar, me një vështrim të përgjithshëm mbi gjyqësorin shqiptar dhe atë rumun nën prizmin e integrimit evropian, duke trajtuar edhe disa nga çështjet më specifike por po aq të rëndësishme, si: pavarësia e gjyqësorit në Shqipëri, e parë kjo në këndvështrimin akademik dhe praktik edhe nga vetë përfaqësues të gjyqësorit; aspektet strukturore të sistemit gjyqësor; aspektet e integrimit të gjyqësorit dhe elementet përbërës, duke përfshirë si elementet pozitive, ashtu edhe ato negative; tradita përballë realitetit dhe sfidave; roli i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i Gjykatës së Lartë, i organizimit profesional të gjyqtarëve; duke u përmbyllur me një vëmendje të veçantë që i duhet kushtuar reformimit të sistemit arsimor ligjor si kusht për reformimin e vetë sistemit gjyqësor.
Në konferencë mori pjesë dhe përshëndeti edhe zëvendësambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Z. Mihai Tican.
Pjesëmarrësit zhvilluan diskutime dhe bënë pyetje lidhur me tematikat e konferencës, duke u shprehur edhe lidhur me veprime apo qëndrime të ndryshme të institucioneve të gjyqësorit shqiptar dhe atij rumun, si dhe bënë sugjerime të ndryshme de lege ferenda.
Kjo konferencë është gur themeli në rrugën e bashkëpunimit mes Universitetit Barleti dhe Universitetit Andrei Saguna.