Nga datat 19 deri në 23 mars në Universitetin "Barleti" u organizua, me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Çështjeve Publike (AIPA), një cikël leksionesh me temë "Komunikimi si problem, burim ose rrezik. Komunikimi si problem kulturor", mbajtur nga Prof. Dr. Giovanni Bechelloni. Prof. Bechelloni ka qenë për një kohë të gjatë profesor i Sociologjisë së Komunikimit dhe Studimeve Kulturore në Fakultetin e Shkencave Politike "Cesare Alfieri" të Universitetit të Firences. Ai ka qenë po ashtu profesor i Sociologjisë dhe Komunikimit në Universitetin e Romës "La Sapienza", president i Konsorciumit të Universiteteve Evropiane "CoMUNDUS" (2006-2011) dhe koordinator i programit Master of Arts në "Media, Komunikim dhe Studime Kulturore", në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Firences. Prof. Bechelloni është edhe anëtar emeritus i Bordit të Këshillit Italian për Shkencat Sociale (CSS). Ai është autor ose redaktor i më shumë se 50 librave, dhe fushat e tij të interesit akademik janë media, kultura dhe shoqëria.
