Në 31 Janar, 2012 barletasit pritën në ambjentet e shkollës së tyre disa anëtarë të Grupit nismëtar të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP). Kjo e fundit është një lëvizje qytetare kundër lejimit të importit të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Për të arritur këtë qëllim, Aleanca synon të ushtrojë presion qytetar mbi Parlamentin Shqiptar, në mënyrë që të mos i hapet rruga me ligj importit të mbetjeve. Për të parandaluar kalimin e këtij ligji, Aleanca po përpiqet nëpërmjet rrugëve ligjore dhe kushtetuese të dërgoje në referendum popullor këtë projektligj.
Paneli përbehej nga Znj. Kozara Kati, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, Z. Aldo Merkoçi Lëvizja Mjaft, Z. Blendi Kajsiu Analist dhe si moderator i takimit shërbeu Pedagogu i UB-së, Z. Blendi Salaj. Panelistët dhanë arsyet e angazhimit në këtë nismë. Ata sqaruan se në mungesë të kapaciteteve për trajtimin e mbetjeve, importi do t’a përkeqësojë nivelin e papastërtisë në territorin shqiptar. Në vend të importit të mbetjeve shtesë Shqipëria duhet të merret me trajtimin e mbetjeve që ne vetë prodhojmë. Ata theksuan se mungesa e kapaciteteve administrative, e infrastrukturës ligjore dhe monitoruese, e bën të vështirë kontrollin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Znj. Kozara Kati nënvizoi se lejimi i importit të mbetjeve bie ndesh me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe me Konventën e Aarhus-it pasi është një vendim që merret pa u konsultuar me komunitetet mbi jetën e të cilëve ai do ketë ndikim direkt. Ndërkohe, Z. Kajsiu dha një analize ekonomike se si ky ligj ndikon ne biznesin vendas.
Komuniteti i UB-se, kryesisht studentët, si qytetarë të këtij vendi, si familjarë, punonjës dhe vendimmarrës të ardhshëm të Shqipërisë, ishin të interesuar për pasojat e këtij ligji. Një rritje ndërgjegjësimi i vu re prej tyre mbi këtë çështje, duke rezultuar në një vërshim firmash në shpresë të një referendumi, si metodë ndaluese e zbardhjes dhe zbatimit të këtij ligji.
