Në 26 Janar 2012 shkrimtari dhe politikani i njohur, Z. Ben Blushi, vizitoi kampusin I të Universitetit Barleti për një diskutim të hapur me studentët mbi librin e tij të fundit: "Shqipëria" .
Sipas Blushit, ky libër ishte një metaforë ndaj Shqipërisë, sipas historisë së shkuar dhe asaj të sotme. Në një këndvështrim personal, Blushi u tha studentëve se ky libër ishte një mundësi për të zbutur veten përmes artit, sikundër shumë prej nesh mund të zgjedhin Zotin. Blushi vijoi diskutimin e tij duke sqaruar dy personazhet kryesore të librit, atë të Lekë Dukagjinit si një figure gati romantike dhe idealiste, dhe të Enver Hoxhës si personifikimi i degradimit dhe shkatërrimit të shoqërisë.
Një pyetjeje nga studentja e vitit I, Financë - Kontabilitet, Megi Kristuli, se si e gjykonte ai marrëdhënien që kanë Shqiptarët me Shqipërinë në ditët e sotme, ai ju përgjigj me një fjale të vetme: "Të keqe", duke vazhduar më tej shpjegimin e tij se është pikërisht kjo marrëdhënie, ajo që ka penguar zhvillimin e Shqipërisë në një nivel me të paktën shtetet fqinjë. Pyetjes nga studenti i vitit III, Shkenca-Politike, Eduart Qatja, mbi marrëdhënien e figurës së Blushit si politikan dhe Blushit si shkrimtar, ai ju përgjigj se politikëbërja në Shqipëri është luks në kuadër të kohës, duke i lejuar atij të shkruajë si metodë që zbut shpirtin dhe sjell kënaqësi.
Blushi më pas vijoji të sqarojë studentët se ky libër është për Shqipërinë, por synimi kryesor nuk kish qenë shkrimi i një libri që të ndikonte në zhvillimin e vendit. Ai theksoi se ne jetojmë më mirë se para 20 vjetësh dhe e krahasoi Shqipërinë me një ishull në mes të detit, ku nga ndryshimi i cilësisë së dallgës varet edhe cilësia e jetës. Diskutimi u mbyll me temën e Zotit, që sipas Blushit është një krijesë e njeriut që simbolizon gjysmën e mire të tij, duke përcjellë një sërë parimesh dhe virtytesh për një jetë të drejtë.
Barletasit ishin të pa ndrojtur gjatë diskutimit, duke treguar se jo vetëm kishin lexuar librin "Shqipëria", por sollën edhe kundërshtimet e tyre lidhur me disa çështje të shtruara nga autori në veprat e tij. Kjo e bëri diskutimin më të gjallë e më të këndshëm për të dyja palët.
