Studentë dhe pedagogë të Universitetit "Barleti" festuan së bashku festat e nëntorit në një udhëtim nëpër trevat e hershme shqiptare duke arritur deri ne qytetin antik të Raguzës apo Dubrovniku i sotëm. Me iniciativën e studentëve të vitit të parë, dega drejtësi dhe organizimin e Dekanit te Studentëve, znj.Elona Bano këtij grupi ju bashkuan edhe studentë të viteve superiore pavarësisht nga dega e tyre e studimeve.
Udhëtimi nisi bukur në të shtunën me diell të datës 26 nëntor ku i gjithë grupi pedagogë e studentë si miq të vjetër të armatosur me shumë humor e miqësi u nisën drejt kufirit me Malin e Zi, Murriqanin. Fotot e bukura në ishullin e Shën Stefanit i shtuan ndjesinë e të bukurës dhe dëshirës së mirë që një udhëtim i këndshëm i priste. Në drekë dielli i ngrohtë dhe Budva krahëhapur na mirëpritën duke na joshur drejt Kalasë së Qytetit të vjetër. Në Budva mrekullisht ndërthureshin luksi i antikitetit dhe pasurisë historike me luksin material të jahteve më moderne.
Pas një dreke me ushqim të shijshëm malazez grupin e priste një surprize edhe më e bukur, lundrimi me traget në qytetin e Hercegnovit, udhëtim, i cili jo vetëm fali kënaqësi por shkurtoi një pjesë të mire të rrugës duke anashkaluar kështu zonën e Boka Kotorskës si për të ruajtur shijimin e rivierës adriatikase për bregun e Dubrovnikut. Në mbrëmje u krye akomodimi në një hotel shumë komod, të pastër dhe mikpritës, që i shkonte shumë për shtat grupit tonë energjik. Nga ballkoni i hotelit kishe një pamje mbi qytetin e ri të Dubrovnikut por edhe mund të hapje mushkëritë me ajrin e pastër bregdetar të parfumosur nga era e rozmarinës dhe portokalleve që si globa dukej sikur zbukuronin rrugët dhe rrugicat e qytetit.
Dita e dytë e këtij udhëtimi, e diela ashtu siç e ka dhe emrin ish plot diell. Të mahnitur nga peizazhi që na ofroi qyteti i vjetër i Dubrovnikut ku muret e bardha të qytetit pjesë e tashëgimnisë kulturore të UNESCO-s përkëdheleshin lehtë në ujrat kaltëroshe të Adriatikut, vizituam plot kureshtje: Manastirin Francescan & Domenican, Portën e Piles dhe Shatërvanin e Onofrios, Farmacinë e vjetër, Shëtitoren kryesore të qytetit Stradun, Katedralen e qytetit, Pallatin e Dukes, Kullën e Sahatit, Statujën e Heroit Orlando dhe atë të Shkrimtarit Marin Drizic, Kullën e Minçetës.
E ku mund të konsumohej dreka më mirë se sa në breg të detit pranë portit të famshëm dhe aq të rëndësishëm ndër kohëra të Dubrovnikut?! Të ngopur edhe me shijen e mirë nga ky qytet kaq i mrekullueshëm thuajse larg çdo kohe, u vizitua Ura e Fanjo Tuxhmanit, e cila është ndërtuar për nder të presidentit të parë Kroat, kur Kroacia fitoi pas një lufte të përgjakshme pavarësinë nga Jugosllavia.
Një tjetër qytet i mbrojtur nga UNESCO na priti ditën e tretë. Ishte Kotorri. Në këtë qytet përveçse shijuam proshutën malazeze dhe pakëz shlifovica sa për tu ngrohur, filluam të shëtisnim Katedralen e Shën Trifonit dhe Kishën e Shën Nikolasë. Kotorri ndryshe njihet edhe si qyteti i Mbretëreshës Teutë me një qytezë brenda kalasë dhe një Kështjellë në majë të malit që për pak na përngjau me murin kinez por në miniaturë.
Por si çdo gjë e bukur dhe e këndshme udhëtimit tonë i erdhi fundi mbasditen e datës 28 nëntor duke mbërritur në Tiranën festive për ditën e pavarësisë dhe gati për të mirëpritur 29 nëntorin. Besojmë se ky udhëtim do të pasohet edhe nga të tjerë akoma edhe më argëtues!
