Studentët e Universitetetit Barleti shumë shpejt do të kenë radion e tyre studentore. Klubi i mediave dhe teknologjisë moderne njoftoi sot planet për ngritjen e një studioje radiofonike në mjediset e Universitetit.
Studio do të jetë e pajisur me të gjitha mjetet teknike dhe kompjuterike që duhen për të prodhuar programe radiofonike të cilësisë së lartë. Studentët e UB-së do të kenë kështu shansin të shprehin talentin dhe kreativitetin e tyre duke mësuar të përdorin pultin e transmetimit, softet e regjistrimit dhe montazhit audio.
Studio radiofonike do të shërbejë edhe si laborator për orët e praktikës së studentëve që janë pjesë e programit të komunikimit në UB por do të jetë e hapur edhe për studentë të degëve të tjera të cilët kanë pasionin për mediat dhe dëshirën për të transmetuar mendimet dhe idetë e tyre.
Studio Radiofonike e studentëve të Universitetit Barleti do të jetë funksionale që semestrin e parë të vitit akademik 2011 - 2012.