Ishte një festë e madhe akademike e të gjithë njerëzve të mrekullueshëm të Universitetit Barleti. Në vijim mund të lexoni fjalen hapëse të mbajtur nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro.
Të nderuar të ftuar,
Zonja Zv Ministre e Arsimit dhe Shkencës,
Zoti President i Shoqërisë "Barleti",
Antarë të Bordit të "Universiteti Barleti"
Anëtarë të Senatit, Profesorë,
Të dashur studentë dhe të nderuar prindër e të afërm të tyre,
Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj mirëseardhjen në këtë ceremoni kushtuar studentëve tanë diplomantë si dhe gjithë atyre që kanë kontribuar me punën, inteligjencën, kualifikimin, përkushtimin, motivacionin dhe dashurinë e tyre në shërbim të formimit cilësor, bashkohor, profesional e shkencor të këtij brezi studentësh që diplomohen sot, në përputhje të plotë me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe në zbatim të udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Eshtë kënaqësi e për mua të marr fjalën në këtë ceremoni të diplomimit të studentëve, siç është, gjithashtu, kënaqësi për të gjithë ju të ftuar të nderit, antarë të Bordit, të Senatit, profesorë e pedagogë, veçanërisht studentë e prindër.
Universiteti ynë i nderuar "Barleti" ju vendos me besim sot firmën e vet në diplomat e studentëve të tij, duke certifikuar kështu bindjen për formimin e tyre të saktë e bashkohor, të plotë e cilësor, të përshtatshëm me jetën aktive të vendit dhe jashtë tij. Shpresoj që këta të diplomuar të jenë të ndërgjegjshëm që kanë arritur në auditoret tona plotësimin e ambicjeve tyre për përvetësimin e dijeve të kohës dhe aftësive të shumëpritura për një jetë aktive profesionale plot me arritje e suksese; shpresoj gjithashtu, që ata të besojnë që çka arritën mes nesh është një frut edhe i vullnetit të tyre, dëshirës për arsim, dije e profesion, vëmendjes, pasionit, frymës së bashkëpunimit me profesoratin, respektit për trupën akademike; por, nga ana tjetër, të mos harroni të dashur studentë diplomantë asnjëherë përkushtimin e pedagogëve tuaj të cilët kanë lidhur suksesin e karierës së tyre me rezultatet tuaja, formimin tuaj dhe sukseset tuaja aq të shpresuara nga ne në të ardhmen. Ne jemi këtu për formimin tuaj dhe për ta arritur e realizuar atë; jemi të lumtur që e arritëm!
Institucioni ynë akademik ofron rreth 26 formime e profile të ndryshme në Bachelor dhe rreth 38 formime e specialitete përkatëse në kualifikimin Master, nga më cilësoret e kohës, të hartuara me bashkëpunime të ngushta ndërkombëtare e të zbatuara nga një profesorat i përgatitur për këtë gjë. Ai do të donte të siguronte sot ju edhe brezat e tjerë të studentëve të tij akoma në auditoret tona, brezat e tjerë të tyre që do të vijnë, vëllezër e motra tuaja, të njohur të tyre e gjithkënd tjetër me aspirata e vizione larpamëse për përgatitjen e tyre universitare, se ai synon gjithmonë larg, gjithmonë cilësi, korrektesë dhe punë të palodhur për arritje të reja, suksese e sfida të përballuara.... Së shpejti, në bashkëpunim të ngushtë me homologët e vet në Itali, Angli, Gjermani, SHBA etj. institucioni ynë realizon ciklin doktoral bashkohor të sistemit akademik, formime të reja të përbashkëta Master në shumë fusha, shkollime profesionale afatndryshme dhe ripërtëritje e përshtatje të njohurive si dhe një dinamikë programesh studimi të cilët do të jenë në gjendje tNULLi përgjigjen në kohë të gjitha sfidave zhvillimore të vendit dhe trilleve perspektive të kërkesave të tregut të punës.
I nderuar Zoti President i Shoqërisë "Barleti",
Keni vënë në themel të kësaj vatre të dijes në Arsimin e Lartë në Shqipëri një vizion dhe një përkushtim tuajin shpirtëror të veçantë të aktivitetit tuaj shumëvjeçar si dhe preokupimin e madh për të realizuar një institucion të këtij lloji cilësor e dinjitoz; gëzoni sot frute të këtyre përpjekjeve tuaja dhe rroni të shikoni më tej vendin e nderuar që do të zenë specialistët tanë në jetën sa problematike po aq edhe të vrullëshme e të pasur të vendit tonë.
Të nderuar pjestarë të Bordit, antarë të Senatit dhe pedagogë të Universitetit,
Më lejoni tNULLju respektoj në emër të studentëve, tNULLju përshëndes e tNULLju uroj në këtë ditë ceremoniale dhe të bukur. Midis jush shoh shkencëtarë, intelektualë, deputetë, drejtues institucionesh të rëndësishme, të graduar e titulluar me emërtime akademike, të rinj me një formim të shkëlqyer si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij të mirëpritur midis nesh në zbatim të politikave atdhetare të "brain gain". Nëpërmjet jush, punës suaj, kujdesit, përkushtimit e shëmbullit tuaj keni dhënë një kontribut të vlerësuar në formimin e studentëve tanë të cilët, me siguri, që sot mendojnë të ndjekin udhët e hapat tuaja, por më të shpejta, më rezultative dhe perspektive në kohë të reja e kontekste të shumëllojshme.
Së fundi, të dashur studentë,
Nuk do të jetë hera e fundit që flasim e komunikojmë së bashku. Në institucionin tuaj ku ju u formuat sipas dëshirave, vullneteve, aspiratave e aftësive tuaja ju do të gjeni kurdoherë bashkëpunëtorë, këshilltarë, mësues, kolegë ndonjëherë dhe oponentë të cilët nuk ju harrojnë dhe për të cilët puna e ndihma me e për ju është kthyer në një natyrë të dytë. Ju mirëpresim gjithmonë mes nesh për të kontribuar së bashku edhe me realizimet dhe eksperiencat tuaja të reja në formimin sa më të lartë të brezave që vijnë pas jush si dhe në zhvillimet e ardhme të vendit.
Sidoqoftë, të dini që ju diplomojmë sot pasi konsiderojmë që jeni plotësisht të aftë për një karierë profesionale tuajën të gjatë, të suksesëshme e prosperë; kemi bindjen që dita fort e afërme e antarësisë së Shqipërisë në Komunitetin Europian juve do tNULLju gjejë të ditur, të aftë, të mësuar, të kultivuar e të kulturuar, për të qënë përfaqësues të denjë të vendit tonë në bashkëpunimin dhe garën, në lidhjet dhe konkurencën, në diskutimet dhe realizimet, në projekte dhe shpikje, në punime, botime, drejtime institucionesh, udhëheqje politike, projekte të së ardhmes së bashku me homologët tuaj europianë, në interes të vendit, të përparimit të tij në fushat e ekonomisë, shkencës, jetës sociale, politike e juridike, të demokracisë e zhvillimit tërësor ekonomik e shoqëror.
Ju uroj sot nga zemra një jetë profesionale plot me punë e realizime si dhe një jetë të gjatë, shumë të gjatë aktive dhe të suksesëshme!