Në vijim të traditës së Leksioneve të Hapura (Open Classes), në ambientet e Universitetit Barleti, ditën e premte, më datën 08 Korrik 2011, u zhvillua aktiviteti,me temë "Gjykata e Strasburgut dhe mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Evropë".
Ky aktivitet bënte pjesë e grupit të temave "Demokracia dhe zbatimi i ligjit në shtetin e të drejtës", që zhvillohen në vazhdimësi në Universitetin Barleti. Këtë herë, në aktivitet merrnin pjesë si të ftuar nderi: Baronesha Françoise Tulkens, Zëvendëskryetare e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjyqtari Christos Rozakis, ish-Zëvendëskryetar i kësaj Gjykate dhe Z. Ledi Bianku, Gjyqtar po në këtë Gjykatë.
Referimi i Baroneshës Tulkens, titullohej "Kur përplasen të drejtat: Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut si një institucion pragmatik", ndërsa gjyqtari Rozakis referoi temën "E ardhmja e mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut në Evropë: Bashkimi Evropian si aktor i ri në procesin e mbrojtjes."
Mirëseardhja dhe prezantimi i aktivitetit u bë nga Z. Ilir Panda, Përgjegjës i Departamentit të së Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë, pranë Universitetit Barleti, ndërsa një prezantim të Gjykatës së Strasburgut si dhe të këtyre dy figurave të spikatura të kësaj gjykate e bëri Z. Ledi Bianku, i cili aktualisht është gjyqtari shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.
Takimi dhe referimet u ndoqën me shumë interes nga të pranishmit, të cilët ishin pedagogë dhe studentë të së drejtës por edhe të degëve të tjera, avokatë, juristë të ndryshëm dhe gazetarë. Më pas, të pranishmit bënë pyetje dhe komente lidhur me veprimtarinë, procedurat dhe praktikat në Gjykatën e Strasburgut, për çështje më specifike të trajtuara në këtë gjykatë ku shteti shqiptar ka qenë apo është palë, për probleme penale, civile, të pronësisë, etj. madje edhe për çështje me problematika të tilla që lidhen me te ardhmen e trajtimit të të drejtave të njeriut në Evropë, prioritetin ndërmjet të drejtës dhe interesit të ligjshëm, etj.