Vleresimi i Dijes

Kontrolli i dijes
Studenti kontrollohet nëpërmjet kontaktit të vazhdueshëm me pedagogun. Kontrolli i dijes është pjesë e procesit të mësimdhënies dhe si i tillë ai është i shtrirë në kohë, në kuptimin që pedagogu zhvillon herë pas here testime ose seanca kontrolli të dijes (të paralajmëruara ose jo). Në vlerësimin e dijes së studentit, pedagogu mbështetet në rezultatet e kontrollit të vazhdueshëm si dhe në frekuentimin dhe pjesëmarrjen aktive në leksione, seminare, ushtrime, praktika, punë krijuese, punime të ndryshme dhe detyra kursi.

Format e kontrollit të dijes
Kontrolli i dijes bëhet me gojë ose me shkrim dhe me gojë. Kjo vlen si për provimet ashtu dhe për testimet ose seancat e kontrollit që mund të organizohen gjatë semestrit përkatësisht gjatë vitit.

Vlerësimi i dijes
Shkalla e përvetësimit të dijes bëhet sipas sistemit me notë (notat 1 deri në 10), me pikë ose me përqindje (100 pikë ose 100%) dhe me shkronja (sistemi e ECTS me shkronjat nga A deri në F). Vlerësimi me notë është i detyrueshëm, në kuptimin që përfundimi i një vlerësimi duhet të shprehet detyrimisht edhe me notë. Kalimi nga njëri sistem vlerësimi te tjetri bëhet në përputhje me diagramën që vijon:

notë 4 5 6 7 8 9 10
pikë 0 - 49 50 - 55 56 - 65 66 - 75 76 - 85 86 - 95 96 - 100
ECTS F E D C B A

Vlerësimi me notë dhe kreditet
Notat kaluese konsiderohen nga 5 e lartë, pikët nga 50 e lartë dhe shkronjat nga A deri në E. Kreditet e lëndëve ose të pjesëve të lëndëve, në të cilat studenti është vlerësuar me shkronjat nga A deri në D quhen të fituara dhe të transferueshme. Kreditet e lëndëve në të cilat studenti është vlerësuar me shkronjën E konsiderohen të fituara por jo të transferueshme. Kreditet e lëndëve ose të pjesëve të lëndëve në të cilat studenti është vlerësuar me shkronjën F nuk regjistrohen në kartelën e studentit dhe nuk janë të transferueshme, të siguruara ose të akumulueshme.

Vlerësimi i vazhdueshëm
Vlerësimi i vazhdueshëm lidhet me një sistem vlerësimi ku puna vlerësohet gjatë gjithë programit ose lëndës së kursit dhe nuk realizohet me një provim përfundimtar. Notat e fituara janë pjesë e notës së përgjithshme dhe përfundimtare të studentit për një lëndë, për vitin akademik ose për të gjithë programin.

Studentët përsëritës
Studenti nuk pranohet në provimin e një lënde ose të një pjese lënde dhe për rrjedhojë shpallet përsëritës, kur mungon në mbi 50% të seancave të leksioneve ose kur mungon në mbi 25% të seancave të ushtrimeve dhe seminareve. Studenti shpallet përsëritës në punët laboratorike dhe praktikat profesionale kur mungon pa arsye qoftë edhe një seancë të vetme ose kur mungon me arsye në më shumë se dy seanca.

Ndërprerja dhe rifillimi i studimeve
Shluj "Universiteti Marin Barleti" lejon që për arsye vetiake ose familjare objektivisht të pranueshme, studenti, të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit, për një afat jo më të gjatë se tre vjet, dhe t'i rifillojë ato në përputhje me rregulloren e universitetit.