Në ditët e sotme, teknologjitë në zhvillim mund të përdoren si një instrument i vlefshëm për ta bërë industrinë financiare më efikase. Një ndër to është edhe teknologjia financiare (FinTech), e cila është një ndërthurje e shërbimeve financiare me të dhëna shumë të mëdha (big data) dhe komplekse për t'u trajtuar nga metodat tradicionale të përpunimit dhe të ruajtjes së tyre. Zhvillimi dinamik i sistemit financiar dhe stukturimi i tij në një kontekst gjithnjë e më konkurrues dhe inovativ kërkon edukimin e një elite të re të specialistëve të ardhshëm në fushën e FinTech, njohuritë dhe aftësitë e të cilëve do të garantojnë konkurrueshmëri dhe sukses në botën financiare.
Duke adresuar gjendjen aktuale, programi i studimit “Bachelor” në “Financë dhe Teknologji” është i orientuar në përdorimin e integruar të njohurive teorike financiare me aftësitë teknologjike duke krijuar një profil të përshtatshëm të specialistëve të ardhshëm të financës me aftësi të theksuara informatike, në përputhje me kërkesat e tregut të punësimit në vend, rajon dhe më gjerë. Programe të tilla janë krijuar për ata që duan të aplikojnë teknika bashkohore apo të dizajnojnë aplikacione dhe procese të reja që mund të përmirësojnë sektorin financiar.
Diploma e ciklit të parë “Bachelor” në “Financë dhe Teknologji” pajis të diplomuarit me njohuri të thelluara mbi sektorin financiar që integrohen me aftësimin profesional të studentëve në programimin kompjuterik dhe përdorimin e teknologjisë, me qëllim krijimin e shërbimeve financiare të reja dhe të përmirësuara, sipas tendencave të fundit të teknologjisë financiare që po transformojnë industrinë e shërbimeve financiare në bankat dhe institucionet e tjera financiare të së ardhmes.
Kurrikula e programit të studimit “Bachelor” në “Financë dhe Teknologji” është ndërtuar me synimin e qartë të rritjes së mundësive të punësimit për studentët, duke nxitur ndërgjegjësimin e tyre për jetesën në një shoqëri konkurruese, për të siguruar mundësi edukimi dhe përvojë që do ti inkurajojnë ata të integrojnë teknologjinë e informacionit me financat dhe drejtimin e sipërmarrjes në kontekstin më të gjerë të mundshëm.
Plani mësimor - Diplomë Bachelor në "Financë dhe Teknologji (FinTech)" (PDF)
Studentët që përfundojnë këtë program studimi mund të punësohen në fushat e financës, teknologjisë dhe sipërmarrjes, si më poshtë:
Të diplomuarit mund të punojnë për kompanitë tradicionale të shërbimeve financiare, të cilat kanë nevojë për staf me aftësi teknike, si analiza e të dhënave, siguria kibernetike, IA & Machine learning, etj., të aftë për t’u përshtatur ndaj software-ve dhe sistemeve të reja me qëllim përmirësimin e praktikave ekzistuese të biznesit dhe/ose zhvillimin e proceseve të reja që lidhen me inovacionet teknologjike.
Aplikimi për të studiuar në universitetin “Barleti” në programin “Financë dhe Teknologji” në ciklin e parë Bachelor bëhet përmes rregullave dhe udhëzimeve të përcakuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).
Aplikantët fillimisht plotësojnë formularët A1/A1Z që të bëhen pjesë e sistemit.
Aplikimi bëhet në portalin e Maturës Shtetërore: http://matura.qsha.gov.al
Përzgjedhja e programit “Financë dhe Teknologji” dhe e universitetit “Barleti” bëhet përmes formularit A2 në periudhat që përcaktohen me udhëzim nga MASR.
I gjithë procesi i aplikimit kalon në dy raunde të cilat përcaktohen nga MASR.
SJELLIM NË VËMENDJE se aplikanti/maturanti mund të bëhet pjesë e UB-së vetëm kur e zgjedh UB-në programin “Financë dhe Teknologji”.
Në programin “Financë dhe Teknologji”, cikli i parë i studimeve Bachelor, pranohet për të ndjekur studimet shtetasi shqiptar ose i huaj që plotëson kriteret e mëposhtme:
Vërteton me dokument zyrtar (Diplomë) mbarimin e një shkolle të mesme publike ose jopublike brenda ose jashtë Shqipërisë (ekuivalentuar sipas kritereve të përcaktuara nga MASR).
Dorëzon të gjithë dokumentacionin e kërkuar në udhëzimet e MASR dhe rregulloret e brendshme të UB-së.
Paguan tarifën e studimeve sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuar në marrëveshjen mes UB-së dhe Studentit.
Pranimi i studentëve në programin “Financë dhe Teknologji”, cikli i parë Bachelor bëhet mbështetur në kuotat e përcaktuara nga UB dhe të miratuara nga MARS, mbi bazë të standardeve të përcaktuara nga MARS, të akteve ligjore e nënligjore dhe rregulloreve të UB-së. Proçesi i pranimit/regjistrimit vijon me nënshkrimin e marrëveshjes dhe mbyllet me marrjen e numrit të matrikulimit nga QSHA.
Tarifa e studimit në programin “Financë dhe Teknologji” në universitetin “Barleti” është ndër më konkurueset në treg, pasi synohet ardhja në ndihmë studentëve për t’u dhënë mundësi studimi. Likujdimi i tarifës kryhet me 3 këste.
Kohëzgjatja normale e studimeve në ciklin Bachelor është 3 vite akademikë.
Koha maksimale e studimeve në ciklin Bachelor është 6 vite akademikë.
Akordimi i një viti shtesë akademik shoqërohet me aplikimin e një tarife studimi shtesë.