Në kuadër të bashkëpunimeve të vazhdueshme me qendrat që ofrojnë shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara, më datë 13 qershor 2025, studentët e programit Master në Arsim Special zhvilluan një vizitë studimore pranë Qendrës Multidisiplinare KODDI në Tiranë.
Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën me praktikat bashkëkohore të punës me fëmijët me çrregullime të zhvillimit dhe të spektrit të autizmit. Drejtoresha e Qendrës, znj. Migen Sulaj, i prezantoi studentëve qasjet terapeutike që përdoren në qendër, si dhe mënyrën e organizimit të punës sipas grupmoshave dhe nevojave individuale të fëmijëve
Një fokus i veçantë iu kushtua rëndësisë së hartimit dhe zbatimit të Planeve të Edukimit Individual (PEI), si dhe lidhjes së ndërhyrjeve terapeutike me procesin mësimor në shkollë. Studentët morën pjesë në një diskutim të hapur mbi rolin e mësuesve dhe specialistëve në ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.
Kjo vizitë u vlerësua nga studentët si një mundësi e çmuar për të përfituar njohuri praktike dhe për të thelluar kuptimin e tyre mbi mënyrat se si mund të integrohen shërbimet terapeutike me arsimin formal.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të Universitetit Barleti për të ofruar një formim të plotë akademik dhe praktik për profesionistët e ardhshëm në fushën e arsimit special dhe gjithëpërfshirës.