Misioni i Universitetit “Barleti” është të përgatisë studentë të një niveli të lartë, profesionistë novatorë, krijues e sipërmarrës, të aftë për sfidat e së tashmes dhe të së ardhmes, si dhe qytetarë të angazhuar të një bote në ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Programet e studimit synojnë një ofertë akademike të pasur dhe gjithëpërfshirëse duke krijuar përvojë aktive të studentëve, kërkim shkencor të aplikuar, shërbime me vështrim ndaj biznesit dhe sipërmarrjes
Vizioni i Universitetit “Barleti” është krijimi i një institucioni të arsimit të lartë cilësor, i cili ofron vlera të vërteta profesionalizmi dhe qytetarie, duke bashkuar edukimin me shpirtin e sipërmarrjes dhe e realizon atë me anë të kombinimit të natyrshëm të shërbimeve online me ato të drejtpërdrejta në mjediset e tij. Në kuadër të vizionit të tij UniBa synon të bëhet një institucion inovativ dhe lider, digjital, aplikativ dhe praktik, ndërveprues dhe komunitar, i orientuar nga tregu i punës, duke vendosur studentin në qendër dhe duke zhvilluar bashkëpunime rajonale dhe ndërkombëtare.
Universiteti “Barleti’’ ka për qëllim të ofrojë studime universitare në cikle të ndryshme dhe në përputhje me European Qualification Framework dhe Kornizën Shqiptare të Profesioneve, të bazuara në kërkim e inovacion si dhe të lidhura ngushtë me praktikën e aplikimin, për të përgatitur teknikë, specialistë dhe ekspertë të mirë-formuar.
UniBa ka për qëllim të zhvillojë programe formuese dhe trajnuese si dhe të realizojë shërbime arsimore, sociale dhe kulturore në një perspektivë të gjerë evropiane dhe ndërkombëtare. Në kuadrin e të mësuarit gjatë gjithë jetës, ai ka për qëllim të ofrojë programe studimi afatshkurtra për kualifikime e specializime, si dhe për përditësimin e dijeve të fituara
Për përmbushjen e qëllimit të tij, UniBa mund të kontraktohet, bashkëpunojë e të lidhë marrëveshje me ente publike e private për veprimtari të përbashkëta didaktike, të praktikave mësimore, kërkimit dhe konsulencës e shërbimeve ndaj të tretëve.
UniBa ka për qëllim të realizojë projekte të ndryshme zhvillimi të cilat mund të fokusohen në ndërtim, rikonstruksion apo pajisje të infrastrukturës së nevojshme, laboratorëve, auditorëve apo godinave dhe territoreve të caktuara në shërbim të procesit akademik, rekreacionit, aktivitetit sportiv apo të jetës së studentëve, stafit dhe qytetit ku zhvillojnë aktivitetin.
Në kuadër të strategjisë së tij të re 2020-2030, UniBa, për të përmbushur misionin dhe për të realizuar vizionin e tij, e zhvillon aktivitetin mbështetur në pesë shtylla kryesore:
1. Shtylla Akademike: fokusuar në veprimtaritë akademike me anë të kombinimit të shërbimeve arsimore, online me ato të drejtpërdrejta;
2. Shtylla e Studentit në Qendër: fokusuar në veprimtaritë studentore dhe komunitare;
3. Shtylla e Kërkimit të Aplikuar dhe Inovacionit: fokusuar në veprimtaritë kërkimore me karakter shkencor dhe të aplikuara, inovacionin dhe projektet në fusha të ndryshme si drejtësia, qeverisja, ekonomia, tregtia, industria, teknologjia, informatika, energjetika etj.
4. Shtylla Korporative dhe Administrative: fokusuar në veprimtaritë me karakter administrativ.
5. Shtylla Sipërmarrëse: fokusuar në veprimtaritë e sipërmarrjeve të ngritura nga ana e institucionit, me qëllim përmbushjen e misionit të tij.
Veprimtaritë akademike realizojnë një proces të plotë modern akademik, me synim kryerjen me efikasitet dhe cilësi të lartë të procesit të mësimdhënies, me qëllim themelor pajisjen e studentëve me dije bashkëkohore, njohuri të konsoliduara teorike në fushat që kultivohen në këtë proces, me aftësi profesionale dhe cilësi njerëzore, morale, mjeshtëri komunikimi dhe teknikat themelore të marrjes, përpunimit, dhënies së informacionit shkencor e teknik, mbështetur në metoda moderne mësimdhënie e mësimnxënie, udhëhequr nga një profesorat i përgatitur e cilësor. Risi në këtë drejtim do të jetë ofrimi i proceseve të mësimdhënies dhe të të nxënit sipas “modelit të kombinuar” online dhe “ballë për ballë”
Studenti është në qendër të vëmendjes së stafit të UniBa, në rradhë të parë, parë përsa i përket vëmendjes dhe kujdesit për aftësimin e tij shkencor e profesional, të aplikimit të metodave aktive e nxitëse të mësimit, të krijimit të kushteve të orëve mësimore të pasura, të ilustruara e krijuese; në këtë optikë, ai inkurajohet e aktivizohet të ndihet si bashkëpunëtor në të gjitha veprimtaritë për konkretizim të dijeve të prodhuara në institucion, në komunikim të përhershëm me komunitetin lokal të administratës publike, atë të biznesit dhe me përbërës të shoqërisë civile.
Institucioni realizon punë kërkimore tërësisht aplikative, me elementë të rëndësishëm dhe detyra të fushës së inovacioneve, me synime të ndryshme për fillime e zhvillime të sipërmarrjeve në fushat që kultivon, duke siguruar aftësimin e studentëve për nisma sipërmarrjesh (start-up); ai mbulon fushat e tij të formimit me projekte studimesh të aplikuara në komunitet, me rezultate të prekshme të nivelit praktik dhe me elementë novatorë në shërbim të ridimensionimit e rikonsiderimit të strukturës së tij akademike përsa i përket programeve të studimit dhe drejtimeve e metodave të kërkimit.
Veprimtaria administrative e institucionit gërsheton në mënyrë të përsosur organizimin e njohur administrativ institucional me drejtimin, menaxhimin e organizimin administrativ-akademik, duke krijuar një sistem korporativ të përshtatshëm për natyrën e tij akademike universitare. Statuti dhe sistemi i rregulloreve akademike të tij, mbështetur me një Kod të Etikës, integrohet përsosmërisht me veprimtarinë e administratës klasike që mbështet proceset akademike e kërkimore financiarisht, materialisht si dhe nga pikëpamja e logjistikës së nevojshme, duke siguruar plotësimin e standardeve shtetërore të funksionimit të një sistemi akademik korporativ.
Organet përgjegjëse të institucionit kanë përpunuar skemën organizative për zhvillimin e një strategjie institucionale për komercializimin e dijeve dhe zhvillimin e sipërmarrjes, në bashkëpunim me institucione homologe dhe biznesin; institucioni vijon të inkubojë mjedise të reja akademike e kërkimor-zhvillimore të pasura me profile të kohës dhe insiston të nxisë forcat e veta krijuese akademike për krijimin e bërthamave të sipërmarrjes që aplikon e zbaton në nivel praktik dijet e kultivuara në institucion, duke tentuar të përfitojë natyrën e plotë të një universiteti evropian të gjeneratës së tretë.