Administrimi i deleguar është një mënyrë e re organizimi në Shqipëri e sidomos në jetën Universitare. Përgjithësisht jemi mësuar të shohim pronësinë që angazhohet për të drejtuar çdo aspekt të korporatës apo të institucionit, por Universiteti “Barleti’’ ka aplikuar modelet më të mira të qeverisjes, duke futur kështu nocionin e Administratorit të Deleguar.
Administratori i Deleguar është përfaqësuesi i drejtpërdrejtë në organizatë i pronësisë (Administratorit – Bordit të Administrimit) duke i dhënë kësaj të fundit të gjithë hapësirën e nevojshme për të gjykuar saktë dhe ftohtë. Në këtë kontekst, Administratori i Deleguar, ndjek dhe zbaton të gjitha detyrat që i jepen nga pronësia (Administratori – Bordit të Administrimit). Ai drejton punën e përditshme në institucion, shikon përputhshmërinë me objektivat e vendosura si dhe monitoron me kujdes grupet e punës sesi operojnë në funksion të arritjes së qëllimit dhe objektivave të Universitetit “Barleti’’.
Administratori i Deleguar, misionin e tij e ka në përputhje të plotë me atë të Universitetit “Barleti’’. Pikërisht zhvillimi i qëndrueshëm i Universitetit në të gjitha drejtimet, qofshin këto akademike, kërkimore e shkencore, sociale, kulturore e sportive apo duke u bërë faktor promovimi dhe motor zhvillimi jo vetëm në fushën e arsimit por edhe më tej. Pavarësisht faktit së Universiteti “Barleti’’ është universiteti i vetëm në Shqipëri që ka vlerësimin maksimal në të gjitha fushat e vlerësimit nga kompania Britanike QAA, vizioni mbetet ruajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i këtyre standardeve.
Misioni është si një hartë që të tregon rrugën sesi të arrish tek objektivat e vendosura në vizionin e institucionit. Administratori i Deleguar në Universitetin “Barleti’’, veç të tjerash, është gjithmonë e më tepër i përqendruar në zhvillimin e qëndrueshëm të institucionit. Marrëdhëniet me të tretët (universitete partnere, shkolla të mesme partnere publike e private, kompani të ndryshme të cilat bashkëpunojnë me Universitetin “Barletin’’ jo vetëm për punësim apo internship-e të studenteve por edhe për studime tregu, aktivitete të përbashkëta, trajnime; agjenci private e publike, përfshirja e ALUMNI, etj.), promovimi i institucionit, përmirësimi i vazhdueshëm i komunikimit, përfshirja në jetën universitare e personaliteteve të rëndësishme, zhvillimi i jetës studentore, të qenit një zë publik i problematikave që shqetësojnë komunitetet apo dhe elementë të tjerë të rëndësishëm, janë pjesë e hartës që Administratori i Deleguar përdor.
Praktikat më të mira ndërkombëtare tregojnë se zhvillimi i qëndrueshëm bazohet në dy elementë të rëndësishëm: në stafin dhe cilësinë e brendshme si dhe në marrëdhëniet me jashtë institucionit. Në këtë kontekst, Administratori i Deleguar, në përputhje të plotë me strategjinë e zhvillimit të vendosur nga Bordi i Administrimit, fokusohet më se shumti në zhvillimin e stafit të brendshëm nëpërmjet trajnimeve, konferencave, rritjes në grada e tituj akademik, motivimit, përfshirjes së standardeve më të larta të metodologjisë akademike, rritjes së performancës së stafit administrativ e mbështetës nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme, retreat-et, etj. Po kështu marrëdhënia e vazhdueshme me grupet e interesit jashtë Universitetit, komunikimi i vazhdueshëm me të tretët, aktivitetet ndër sektoriale, përfshirja e bordeve të karrierës me ekspertë të mirëfilltë të tregut të punës, të qenit një zë i fortë publik, janë në thelb të strategjisë së zhvillimit.