Rregullsia, cilësia, vlerësimi nga ana shkencore i procesit mësimor sigurohet nga departamentet përkatës. Pedagogu, nën kujdesin e departamentit, kryen përgatitje të përditshme për orët mësimore, mbështetur në programin lëndor të lëndës.
Elementet bazë të procesit mësimor janë mësimdhënia dhe vlerësimi i dijeve. Mësimdhënia realizohet përmes leksioneve, seminareve, ushtrimeve, punëve laboratorike, praktikave profesionale, punimeve, punëve krijuese, detyrave të kursit, etj,.
Praktikat mësimore organizohen në biznese, institucione, qendra etj, ku studenti të mund të përfitojë sa më shumë; ato ndiqen bashkërisht nga departamenti dhe organizata ku zhvillohet praktika, nëpërmjet koordinatorëve, të caktuar me marrëveshje institucionale dypalëshe.
Mësimi zhvillohet në bazë kursi, grupi a nëngrupi mësimor. Leksionet zhvillohen në bazë kursi mësimor. Ushtrimet dhe seminaret zhvillohen në bazë grupi mësimor. Punët laboratorike, seminaret në gjuhë të huaj dhe praktikat profesionale zhvillohen në bazë nëngrupi. Organizimi i tyre bëhet në përputhje me numrin e studentëve të parashikuar në legjislacionin e arsimit të lartë. Në fillim të çdo vit akademik gjatë hartimit të orarit mësimor parashikohen dhe kurset, grupet dhe nëngrupet në përputhje edhe me numrin e studentëve të rregjistruar në UniBa.
Institucioni ofron një spektër të gjerë teknikash të mësimdhënies të cilat variojnë nga forma e punës mësimore dhe mënyra e zbatimit. Disa nga metodat e mësimdhënies janë seminaret (mësimdhënie në grupe të vogla), puna individuale me udhëheqje, seminari hulumtues, orët e ushtrimeve, orët praktike në klasë, seancat për zgjidhjen e problemeve, mësimet në laborator, orët e eksperimentit, praktikat në punë, puna në terren, mësimi në distancë ose elektronik, etj.
Teknikat mësimore përfshijnë jo vetëm punën e pedagogut por edhe veprimtaritë mësimore që u kërkohen studentëve në një program studimi. Përveç pjesëmarrjes në leksione, leximit të librave apo revistave shkencore po profesionale mund të përmenden kërkime materialesh në bibliotekë, shqyrtim i literaturës, shtrimi i problemeve që jepen nga lektori, kryerja e hulumtimeve me vështirësi në rritje, ushtrime aftësimi teknik, hartim eseje, bashkëpunim me studentë të tjerë për hartimin e raporteve, përgatitje prezantimesh me gojë (në grup ose individuale), kritika konstruktive ndaj punës së të tjerëve dhe vënie në zbatim të kritikave të të tjerëve, pjesëmarrje apo udhëheqje në mbledhje apo ekipe, punë e vazhdueshme për përmbushjen e afateve kohore të detyrueshme, etj.
Metodologjia e testimit dhe vlerësimit të dijeve dhe aftësive profesionale e shkencore, bazohet në parimin e kontrollit të vazhdueshëm. Vlerësimi përfundimtar është rezultat i kombinimit të komponentëve të vlerësimit. Vlerësimi i dijeve është i vazhdueshëm dhe kryhet me anë të detyrave individuale, detyrave të kursit, projekteve, detyrave në grup, testimeve me shkrim, testimeve me gojë, vlerësimeve të përgjigjeve, eseve, provimeve semestrale apo vjetore, provimeve të formimit dhe mbrojtjes së diplomës.
Dija e studentit kontrollohet në çdo rast nëpërmjet kontaktit të vazhdueshëm të pedagogut me studentin në formën e bashkëbisedimit, nëpërmjet zhvillimit të testimeve ose seancave kontrolli të dijes (të paralajmëruara ose jo).
Në vlerësimin e dijes së studentit pedagogu, si rregull, mbështetet në përfundimet e kontrollit të vazhdueshëm si dhe në frekuentimin dhe pjesëmarrjen aktive në leksione, seminare, ushtrime, praktika, teste, kuize, problema, punë krijuese, esse, projekte, simulime, punime të ndryshme, studime rastesh, detyra kursi etj,.
Instrumentet e vlerësimit parashikohen në programin lëndor dhe pasqyrohen në fletën e vlerësimit përfundimtar të lëndës/modulit.
Procesi akademik në Universitetin “Barleti” zhvillohet sipas kalendarit akademik. Viti akademik në sistemin me kohë të plotë ka 30 javë mësimore. Viti akademik organizohet në dy semestra. Çdo semestër ka 15 javë mësimore. Çdo javë ka jo më shumë se 25 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë, praktika.
Gjatë vitit akademik ka dy sesione të rregullta provimesh, një sesion riprovimesh dhe dy sesione të kufizuar të riprovimeve: Sesioni i rregullt i provimeve, i cili organizohet në përfundimin e semestrave; Sesioni i riprovimeve, i cili organizohet në 10 – 30 Shtator; për studentët diplomantë sesioni i riprovimeve organizohet para datës së mbrojtjes së diplomës. Sesioni i kufizuar riprovimeve të dimrit dhe i ai i verës të cilët parashikohen në kalendarin akademik. Këto janë sesione të veçanta provimesh të bartura. Studentët duhet të bëjnë kërkesë për këto sesione dhe paraqiten kundrejt pagesës përkatëse.
Procesi akademik dokumentohet nga Sekretaria Mësimore, e cila përgatit planin kalendarik të mësimeve, orarin e zhvillimit të lëndëve, regjistrat e grupeve mësimore, kryen klasifikimin e plotësimit të frekuentimit për çdo lëndë dhe përgatit proces verbalet e provimeve. Kjo sekretari shërben dhe për ruajtjen e klasifikimin e të gjithë dokumentacionit shkollor të studentëve.
Për më shumë >> Kalendari Akademik - Universiteti Barleti
Universiteti “Barleti” ka një jetë të pasur akademike. Institucioni organizon konferenca të ndryshme shkencore, seminare, leksione të hapura, shkolla verore e shume aktivitete të tjera të rëndësishme në rang kombëtar e ndërkombëtar. Në këto aktivitet i kushtohet një rëndësi e veçantë pjesëmarrjes aktive të studentëve dhe zgjedhja e tematikave aktuale dhe me interes për ta.
Programi i kërkimit shkencor, të aplikuar dhe novacionit në Universitetin Barleti bazohet mbi parimin për një arsim të lartë që plotëson standardet ndërkombëtare të cilësisë, të integritetit
akademik dhe bëhet promotor i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Universiteti Barleti synon të theksojë nëpërmjet kërkimit shkencor ndikimin e këtij të fundit në shoqëri, politikë, ekonomi, ambient, teknologji e tj në botën globale të kërkimit dhe rëndësinë e tij në edukimin e brezit te ri, të studentëve dhe kërkuesve të rinj.
Kërkimi shkencor në UniBa organizohet e zhvillohet në zbatim të ligjit Nr.80 / 2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë’’ duke dalluar midis kërkimit bazë dhe kërkimit të aplikuar.
Kërkimit bazë që synon të përmirsojë teoritë dhe të kuptuarit përkundrejtë kërkimit të aplikuar që synon në zgjidhjen e problemeve të së përditëshmes, rezultatet e së cilit kanë efekt të menjëhershëm dhe praktik.
Programi i kërkimit bazohet mbi katër objektiva strategjike të kornizës Edukimi & Trajnimi 2020 për bashkëpunim midis vendeve të Bashkimit Evropian në fushën e arsimit dhe të formimit:
1) Bërja realitet e të nxënit gjatë gjithë jetës dhe mobilitetit;
2) Përmirësimi i cilësisë dhe efikasitetit të arsimit dhe formimit;
3) Nxitja e barazisë, kohezionit social dhe qytetarisë aktive; dhe
4) Shtimi i kreativitetit dhe inovacionit, përfshirë sipërmarrjen, në të gjitha nivelet e arsimit dhe formimit.
Për më shumë >> Kërkimi shkencor në Universitetin Barleti