Në Universitetin Barleti u zhvillua një leksion i hapur me temë “Tregu i Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri dhe perspektivat e zhvillimit të tij”, me të ftuar alumnin Saimir Brahimi, ish-student i programit Master në “Marketing dhe Menaxhim Operacionesh”.
Gjatë leksionit, ai ndau me studentët eksperiencën e tij disavjeçare në fushën e vlerësimit dhe ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme, duke prezantuar zhvillimet më të fundit të tregut imobiliar në Tiranë dhe në zonat kryesore urbane të vendit.
Diskutimet u fokusuan në tendencat aktuale të çmimeve, zonat me potencial investimi, ndikimin e politikave fiskale dhe kredive bankare në zhvillimin e tregut, si dhe sfidat që lidhen me urbanizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban.
Ky leksion shërbeu si një shembull frymëzues i suksesit profesional të alumnëve të Universitetit Barleti dhe i lidhjes së vazhdueshme të universitetit me tregun e punës dhe profesionistët e industrisë.
