Më 12 qershor 2026, Universiteti Barleti organizoi konferencën përmbyllëse të projektit të financuar nga READ me temë “Advancing Leadership in Albanian Healthcare Professionals: Designing a Curriculum for a Master of Science in Management and Leadership”.
Aktiviteti mblodhi së bashku akademikë, ekspertë të fushës së shëndetësisë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë për të prezantuar rezultatet e projektit dhe për të diskutuar mbi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve drejtuese në sektorin shëndetësor shqiptar.
Gjatë konferencës u prezantua puna e realizuar në kuadër të projektit për hartimin e një kurrikule inovative të programit Master i Shkencave në Menaxhim dhe Lidership, e cila synon të pajisë profesionistët e shëndetësisë me njohuri dhe kompetenca të avancuara në drejtim, menaxhim strategjik, vendimmarrje dhe zhvillim organizativ.
Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe nevojat aktuale të sistemit shëndetësor, duke theksuar rëndësinë e formimit të liderëve të aftë për të menaxhuar ndryshimet, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të institucioneve shëndetësore.
Konferenca përmbyllëse shënoi një moment të rëndësishëm në finalizimin e projektit READ dhe njëkohësisht hapi perspektiva të reja për bashkëpunim ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit të shëndetësisë në funksion të përmirësimit të arsimit të lartë dhe praktikës profesionale në Shqipëri.
