Universiteti Barleti mori pjesë aktive në aktivitetet e projektit Erasmus+ EDU5WB – Level 5, të zhvilluara në Bologna, Itali, në bashkëpunim me partnerë europianë nga sektori i arsimit të lartë, formimit profesional dhe biznesit.
Programi dyditor u fokusua në prezantimin e përvojës italiane për zhvillimin dhe implementimin e kualifikimeve të Nivelit 5 sipas Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (EQF), duke vënë në pah praktikat e suksesshme të bashkëpunimit me tregun e punës dhe modelet e të nxënit të bazuar në punë (Work-Based Learning).
Gjatë ditës së dytë të aktivitetit u zhvilluan prezantimet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse. Shqipëria u përfaqësua nga Universiteti Barleti përmes Prof. Asoc. Dr. Dorina Xhani dhe Dr. Adriana Qafa, të cilat prezantuan situatën aktuale të zhvillimit të kualifikimeve të Nivelit 5 në Shqipëri, sfidat kryesore të implementimit dhe rekomandimet për avancimin e mëtejshëm të këtij niveli arsimor.
Në diskutimet e zhvilluara kontribuuan gjithashtu z. Gjergj Buxhuku nga Konfindustria Shqiptare dhe znj. Rudina Licaj nga sektori i Arsimit dhe Formimit Profesional (VET), duke ofruar perspektiva të vlefshme mbi nevojat e tregut të punës dhe rëndësinë e lidhjes së arsimit me kërkesat e ekonomisë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet përforcon angazhimin e Universitetit Barleti për të kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave inovative në arsimin e lartë dhe formimin profesional, si dhe për të mbështetur harmonizimin e kualifikimeve shqiptare me standardet evropiane.
Aktiviteti u përmbyll me sukses, duke krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe shkëmbimi eksperiencash për zhvillimin e mëtejshëm të kualifikimeve të Nivelit 5 në Shqipëri.
