Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA dhe Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit, në Universitetin Barleti, organizuan më datë 25 janar, 2021, në kuadër të ditës Ndërkombëtare të Arsimit, forumin online me temë: “Sfidat e Arsimit Online”. 24 Janari njihet në të gjithë botën si Dita Ndërkombëtare e Arsimit, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB më 3 Dhjetor 2018 në sajë të rolit të rëndësishëm që edukimi nëpërmjet arsimit luan në paqen e përgjithshme dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Pandemia solli shumë ndryshime në fushën e arsimit, ku për shkak të situatës u bë e
domosdoshme një përshtatje e procesit mësimor. Pikërisht për këtë sfidë të re me të cilën po përballet arsimi, u diskutua në këtë forum online, ku krahas autoriteteve drejtuese, pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Barleti, mori pjesë edhe Zv. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z. Oltion Rrumbullaku.
Forumi, i moderuar nga Drejtoresha Ekzekutive e AIPA, Eurona Leka, u hap me fjalën e Rektorit të Universitetit Barleti, Prof. Dr. Agim Kukeli, i cili krahas theksimit se arsimi është sektori më i rëndësishëm i zhvillimit të shoqërisë, vijoi më tej me përshtatjen e Universitetit Barleti me situatën e re të krijuar nga pandemia. Sipas axhendës, vijoi fjala e Zv. Ministrit, i cili evidentoi rolin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në menaxhimin e kësaj situate, pa cënuar procesin mësimor. Gjithashtu në fjalën e tij, Z. Rrumbullaku vlerësoi në mënyrë të veçantë punën e bërë nga Universiteti Barleti në këtë drejtim. Përshëndeti forumin edhe Dr. Shpëtim Cami, në cilësinë e Drejtuesit të Departamentit të Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit. Dr. Cami u ndal në sfidat edhe arritjet e Departamentit, gjatë këtij viti, jo të lehtë për të gjithë.
Në vijim, diskutimi u bë më i larmishëm nga sugjerimet edhe pyetjet e të pranishmëve. Kështu Prof. Asoc Dr. Zamira Çavo, sfidën e tanishme të mësimit online, e pa si mundësi të së ardhmes për zhvillimin e mësimit. Dr. Robert Gjedia, do të ndalej nga ana tjetër në cilësitë e arsimit në shek. e XXI dhe në rëndësinë e procesit të të nxënit nëpërmjet teknologjive të informacionit. Interesante ishin pyetjet e Dr. Erion Kristo drejtuar Zv. Ministrit, mbi njohjen e titujve online si edhe mundësinë dhe lejimin e zhvillimit të mësimit me kohë të pjesshme; si edhe e Dr. Gazmend Zeneli mbi hapësirën që zë kërkimi shkencor dhe plagjiatura sipas ndryshimeve të fundit të legjislacionit.
Forumi ishte mjaft interaktiv, por sigurisht nuk shteroi të gjitha pikëpyetjet mbi arsimin, edhe pse e realizoi mësë miri rolin ceremonial të kremtimit të Ditës Ndërkombëtare të Arsimit. Për të vijuar më tej me impaktin e këtij forumi, Rektori i Universitetit në përmbyllje të tij, sugjeroi lancimin e një platforme për diskutim publik mbi kontributin e secilit prej nesh në funksion të zhvillimit të arsimit dhe të përballimit të çdo sfide.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit!