Më datë 20.05. 2023, u zhvillua aktiviteti “Barleti Hackathon - Zbulimi i talenteve për të ardhmen dixhitale”, vazhdimësi e aktiviteteve cdo mujore të Universitetit Barleti. Ky aktivitet, në të cilin, një numër i caktuar individësh takohen për t'u angazhuar në programim kompjuterik bashkëpunues, është i konceptuar sipas kategorive: Digital Tech, Digital City (Smart City), Digital Industry, Digital Finance & Fintech, Digital Health & Sport dhe Digital Social. Fituesit e secilës
kategori do të jenë pjesë e konkursit “Hackathon Final” që do të zhvillohet në Universitetin “Barleti”. Një projekt mund të jetë pjesë e një ose më shumë kategorive, çfarë do të thotë se, konkurentit i lind e drejta për të marrë pjesë më shumë se një herë në seritë e Hacakthon.
Qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është zbulimi dhe mbështetja e talenteve të grupmoshave të ndryshme, duke u krijuar hapsirën e punës, mbështetjen e ideve dhe ofrimin e qasjes për përmirësimin e projekteve të tyre që përfshinin kodim, ndërtim të aplikacioneve, apo softwer- ve në varësi të projektit. Për të realizuar këtë objektiv, “Barleti Hackathon”, është konceptuar në tre faza: Faza 0: Demo Day, Faza 1: Implemtentim/Zbatim dhe Faza 2: Realizim/Prezantim.
Me nxënësit pjesëmarrës në këtë Hackathon, faza zero “Demo Day” është realizuar në ditë të caktuara dhe në shkollat e cilit grup apo pjesëmarrës, ku nxënësit janë informuar mbi filozofinë e aktivitetit Hackathon, si duhet ta kuptojnë dhe t’i qasen këtij eventi teknologjik nga profesorë dhe ekspertë të fushës. Secili nga nxënësit, individualisht apo në grup, në ditën e zhvillimit të Hackathon kishte ardhur me një ide për ta realizuar dhe shërbyer në treg.
Gjatë programit Hackathon, që u zhvillua në ambjentin e Universitetit Barleti, faza e parë nisi me “Identifikimin, kuptimin dhe prezantimin e një problemi”, me fokus trajnimi “Studimi i tregut dhe target grupi (Kam një ide!)”. Këtë trajnim e mbajti profesor Ing. Amir Esmaeilakhtar.
Faza e dytë përfshinte trajnimin mbi “Sfidat e dizajnimit”, hartimin e një modeli bisnesi dhe të një plani bisnesi. Këtë trajnim e mbajti profesoresha Kejda Nuhu, PhD. Faza e tretë, nisi me testimin dhe ndërtimin e një aplikacioni apo platforme dhe krijimin e një prototipi. Këtë trajnim e mbajti asistent lektorja Anisa Doçi. Faza e katërt e “Hackathon” përmban trajnimin “Pitching like a pro!”, që jepet nga profesoresha Olta Murataj PhD. Në këtë trajnim fokusi përqendrohet në teknikat e përgatitjes së prezantimit të projekteve të tyre në nivel profesionisti, dhe se si të orientojnë strategjitë e tyre drejt një vizioni suksesi në të ardhmen. Pas mbylljes së kësaj faze, pjesëmarrësve u jepet kohë që të përgatisin prezantimet e projekteve të tyre para jurisë.
Nga projektet e prezantuara, juria bazuar në aftësinë prezantuese, aftësinë teknike, vlefshmërinë e idesë, qëndrueshmërinë e projektit vlerësoi katër projekte për të kaluar në fazën finale të “Hackathon Final”, si më poshtë:
- projekti "Solar X" punuar nga nxënësi Erjon Gjoka nga shkolla “Petro Nini Luarasi”;
- projekti “Qyteti i Ujit” punuar nga nxënësit Ador Sula, Ester Darti dhe Arjola Metaliaj nga shkolla “Qemal Stafa”;
- projekti “Biblioteka Smart” punuar nga nxënësja Suada Rrustaj nga shkolla “Hafiz Ibrahim Dalliu”;
- projekti “Sociopedia” punuar nga nxënësja Jona Kapaj nga shkolla “Dervish Hekali”.