Në muajin qershor Instituti Shqiptar për Çështje Publike organizoi projektin Gazetaria Qytetare, Përfaqësimi i të Margjinalizuarve.
Gazetaria alternative si pjesë e shoqërisë civile ka mision të rritë ndërgjegjen individuale ose atë kolektive si dhe të mobilizojë lëvizje shoqërore. Gazetaria alternative ka jo vetëm një dimension kulturor por edhe një dimension politik, ekonomik dhe social. Ajo është produkt i individëve, shqetësimet e të cilit ai përfaqëson nisur nga një pozicion i angazhimit dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë. Vlerat e kësaj gazetarie alternative qëndrojnë jo vetëm tek lajmi që ai përcjell por edhe tek qasja e atij që shkruan dhe mënyra se si ky informacion është prezantuar.
AIPA nëpërmjet këtij projekti synon të përfaqësojë pikëpamjet e atyre që realisht janë margjinalizuar nga shoqëria, apo janë keq-paraqitur apo përfaqësuar (as)pak në sferën publike. E veçanta e këtij projekti qëndron tek qasja e tij nga poshtë-lart. Individi me gjithë specifikat e vetë është subjekt në qëndër të kësaj iniciative por mesazhi që ai përcjell është një mesazh i fortë në të mirën e interesit të gjerë publik dhe komunitetit të cilin përfaqëson. Përfaqësimi i këtyre grupeve të margjinalizuar është artikuluar nga gazetarë jo-profesionistë dhe të cilët janë të kufizuar për të arritur audienca të mëdha, por gjithsesi është një përpjekje për ti dhënë zë individëve të cilët janë të harruar nga media kryesore. Përfshirja e profesionistëve të gazetarisë alternative, Dr. Eda Derhemi dhe Ben Andoni, ishte në rolin e këshilltarëve dhe lehtësuesve në mënyrë që mundësonte praktikantëve filozofinë dhe teknikat për të prodhuar punët individuale të pavarura nga gazetarë profesionale dhe redaktorë.
Në javën e parë, atë teorike, Dr. Eda Derhemi bëra një hyrje për nevojën për një shoqëri pa grupe të margjinalizuara e për domosdoshmërinë e individit që të përkasë në shoqërinë e vet, si dhe Shqipërinë dhe empatinë në kulturën tonë; më pas u fol për sisteme shoqërish të ndryshme dhe përvojat e drejtësisë sociale si dhe modeleve të mediave në secilën; u fol për etikën sociale në përgjithësi dhe në media e institucione në veçanti, dhe të atij që punon me individin e keqtrajtuar shoqërisht, nga pozita e gazetarit, shoqërisë civile ose qoftë edhe qytetarit aktiv; së fundmi u fol edhe për rëndësinë e tekstit mediatik si prodhim shoqëror dhe po ashtu agjent shoqëror për ndryshim. Ndihmë u dhanë edhe dy takimet me gazetarin me përvojë Ben Andoni, që i drejtoi pjesëmarrësit nëpër labirintin e bukur të të panjohurave të intervistës dhe reportazhit për njerëz realë.
Projekti u planifikua të zgjaste dy javë. Në fakt përveç pjesës teorike u vendos që të dilej me disa punime cilësore në fund të kursit, të cilat vijnë tani në këtë vëllim. Struktura e këtij vëllimi nuk ka një zhanër të vetëm në shkrimet përfundimtare: ato lëvizin mes reportazhit me elementë eseje, apo esesë me elemente reportazhi. Përmes këtyre eseve, shumëllojshmërisë së informacionit dhe kornizave interpretuese të tyre, ne mund të kuptojmë jo vetëm stadin e margjinalizimit të këtyre individëve dhe grupeve respektivë por edhe shoqërinë. Synimi ynë, edhe pse grupi i eseve është i vogël në numër, është jo vetëm në prezantimin e situatave të grupeve të margjinalizuara dhe krijimin e mesazhit por të mund ti mundësojmë shoqërisë civile alternativa të analizimit të situatave të cilat kanë forcë transformimi të vetëdijes dhe mund të çojnë në një vullnet civil për të ndryshuar realitetin.
Shkarko broshurën: 8 ESE - GAZETARI QYTETARE: Përfaqësimi i të Margjinalizuarve