Ditën e enjte, Instituti kërkimor shkencor Barleti, në bashkëpunim me Universitetin Fama të Prishtinës, organizoi konferencën me titull "Kriza globale, Shqipëria, Kosova, rajoni". Konferenca e mbajtur në Sallën e madhe të Universitetit Barleti, shfrytëzoi prezantimin e numrit tre të revistës Gjeopolitika, botim i Qendrës së studimeve rajonale, pjesë e këtij Instituti, për të mbledhur bashkë një panel prestigjioz ekspertësh. Pjesa më e madhe e tyre, ish guvernatori i Bankës së Shqipërisë Shkëlqim Cani, deputetja dhe ekspertja e ekonomisë Ermelinda Meksi, Rudina Seseri, eksperte ekonomie, doktor Agim Paca, i universitetit Fama, doktor Gjin Biba, ishin gjithashtu autorë analizash dhe esesh interesante, botuar në numrin tre të Gjeopolitikës. Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu, ekspertë të nivelit të lartë të ekonomisë dhe financave nga Shqipëria dhe Kosova, drejtues institucionesh kërkimore, të grupeve të interesit, etj. Revista Gjeopolitika drejtohet nga Mentor Nazarko, lektor i Universitetit Barleti.
Punimet e konferencës u hapën nga zonja Adriana Berberi, drejtoreshë e Institutit dhe eksperte e financave publike. Ajo bëri një prezantim të numrit të ri të revistës, që ja arriti të shndërrohet kështu në një rast për debat mbi pasojat e krizës.
Profesor Shkëlqim Cani, bëri një përmbledhje të elementëve që parathonë krizën ekonomike dhe financiare të vendit që sipas tij "do të shfaqej e plotë në gjashtëmuajshin e dytë të vitit". Sipas tij, "kjo nuk ishte një krizë e shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por nga faktorë të brendshëm", mes të cilëve ai renditi "politikat e shpenzimeve publike të qeverisë".
Zonja Rudina Seseri, bëri gjithashtu një analizë të efekteve të krizës globale në vend, duke ju referuar njërit faktor të ekonomisë së vendit, "kapitalit", i cili sipas saj ekziston apo injektohet në ekonomi kryesisht nëpërmjet bankave. Këto banka, sipas saj, janë të huaja, kështu që ato janë prekur të parat nga kriza.
Doktor Agim Paca nga Universiteti Fama i Prishtinës bëri një ekspoze të sistemit financiar kosovar të dominuar nga faktori ndërkombëtar dhe mbështeti idenë e krijimit të një banke lokale prej kompanisë së Postë Telekomit të Kosovës, bankë e cila do të ndikonte shumë tregun financiar kosovar.
Zonja Ermelinda Meksi gjithashtu ofroi vizionin e vet për atë që ajo e quajti krizë, dhe vuri theksin kryesisht në rolin e mediave në paraqitjen e saj për publikun. Në fund ajo ofroi dhe idetë për zgjidhjen e saj.
Venet Shala, lektor i financave publike në Universitetin Fama, gjithashtu trajtoi disa prej problemeve të financave publike në Kosovë përballë krizës globale.
Artan Hoxha president i Institutit të Studimeve Bashkëkohore në diskutimin e tij, synoi të relativizonte rreziqet që po kalon ekonomia shqiptare, e cila sipas tij është më e shëndetshme se çNULLduket dhe se edhe më parë, ekspertët ndërkombëtarë kishin gabuar në parashikimet e tyre për të.
Gjergj Buxhuku, drejtor i Konfindustrias, bëri një analizë të situatës që po kalojnë bizneset shqiptare.
Dr. Gjin Biba, përfaqësues i kompanisë Century 21 Albania, paraqiti rezultatet e studimit të tij mbi efektet e krizës në tregun e pasurive të paluajtshme.
Numri tre i revistës Gjeopolitika, që i kushtohet efekteve të krizës globale në rajon dhe më konkretisht në Kosovë dhe Shqipëri, përmbledh gjithashtu një grup tjetër esesh nga autorë të veçantë, siç janë Nandi Shani, Ilir Mitezi, ekspertë shqiptarë që punojnë pranë institucioneve financiare ndërkombëtare. Interesante gjithashtu është dhe një ese e një njohësi të shkëlqyer të rajonit, ish-shefit të misionit të FMN-së në Shqipëri, Jan Peter Olters. Zamira Cavo dhe Burbuqe Riba, lektore në Universitetin Barleti ofrojnë gjithashtu një këndshikimi teorik për vlefshmërinë e teorive të Marksit për efektet e krizave në kapitalizëm. Në një kapitull të veçantë ofrohen gjithashtu dhe dy artikuj të ekspertëve me emër ndërkombëtar si Alan Grinspen dhe Daniel Bell.