Instituti Shqiptar i Çështjeve Publike (AIPA) në bashkëpunim me Departamentin e Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit më datë 10 dhjetor 2019, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ftuan në një bashkëbisedim me studentët, Ambasadoren e Ambasadës Suedeze në Tiranë, Shkëlqesinë e Saj, Znj. Elsa Håstad.
Kremtimi i datës 10 dhjetor, ka jo vetëm një rëndësi historike, pasi kjo datë është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, rreth 71 vite më parë, por edhe një peshë aktuale për të sotmen për një sërë arsyesh: si një përmbyllje e 16 ditëve të aktivizmit të Kombeve të Bashkuara kundër dhunës ndaj gruas; si një realizim i suksesshëm i projektit “YouthMobileAcademy” të zbatuar nga AIPA, si edhe për një brohoritje për një Shqipëri solidare, e cila më shumë se asnjëherë, në emër të së drejtës së jetës u gjend pranë të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.
Për Departamentin e Qeverisjes, Politikës dhe Komunikimit, kjo datë nuk kremtohet vetëm më 10 dhjetor, ajo është pjesë e kurrikulës dhe e punës studimore të këtij departamenti, sikundër përbën njëherazi një nga shtyllat kryesore të kërkimit të aplikuar të Institutit Shqiptar të Çështjeve Publike.
Këtë vit, ky përvjetor i të drejtave të njeriut, mori një peshë të veçantë me vizitën e Ambasadores së Ambasadës Suedeze në Tiranë, Shkëlqesisë së Saj, Znj. Elsa Håstad.
Ambasadorja zhvilloi një bisedë të këndshme me studentët të ilustruar me raste studimore si edhe shembuj konkretë, duke i aktivizuar studentët në role të promovimit, mbrojtjes, njohjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut.