Keshilli i aksionerëve dhe bordi

Këshilli i Aksionerëve
SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” është një institucion privat i arsimit të lartë në Shqipëri, i cili mban emrin e historianit dhe humanistit të shekullit të XV, Marin Barleti. "Marin Barleti" u themelua si universitet në 2005 nga Grupi "Dudaj".

Rreth Bordit
Bordi i SHLUJ “Universiteti Marin Barleti" përbëhet nga figura publike me përvojë, reputacion e kontribut në çështje administrative, ekonomike, social-kulturore dhe në fushën e arsimit të lartë dhe të shkencës. <

Aktualisht ai përbëhet nga 9 anëtarë me të drejtë vote, 1-2 përfaqësues të Këshillit të Aksionarëve pa të drejtë vote dhe rektori pa të drejtë vote. Anëtarët e Bordit kanë mandat dy-vjeçar me të drejtë përsëritjeje.

Bordi i Universitetit orienton politikat e përgjithshme të organizimit, administrimit e zhvillimit të UMB-së duke baraspeshuar politikën e ditës me planëzimin strategjik. Ai ndërmerr politika që i krijojnë mundësi universitetit të formulojë dhe kryejë misionin e vet në mënyrë të tillë që të jetë në përputhje me interesat e komunitetit dhe të vetë UMB-së.

Si hallkë ndërmjetëse midis aksionarëve dhe drejtuesve akademik-administrativë të UMB-së, Bordi ka rol këshillues për të parët dhe vendimmarrës për të dytët.

Bordi është zëri publik i universitetit në komunitet. Ai ka stemën dhe vulën e tij. Bordi miraton dhe mbështet misionin dhe qëllimin e universitetit. Pas marrjes së pëlqimit nga Këshilli i Aksionarëve për disa kandidatura, zgjedh me shumicë votash dhe emëron rektorin e UMB-së, që është dhe zyrtari më i lartë ekzekutiv. Për pezullimin apo lirimin nga detyra të rektorit kërkohet miratimi me 2/3 e votave të të gjithë anëtarëve të Bordit. Bazuar në deklaratën e qëllimeve, objektivave dhe arritjeve të paraqitur nga rektori, Bordi shqyrton dhe bën vlerësimin vjetor të rektorit.

Bordi është instanca më e lartë për të gjitha problemet që mund të lindin brenda kampusit për shkak të shmangies, përjashtimit ose mosrespektimit të kërkesave dhe procedurave të miratuara.

Antarësia e Bordit
Anëtarët e Bordit janë figura publike me përvojë, reputacion e kontribut në çështje administrative, ekonomike, social-kulturore dhe në fushën e arsimit të lartë dhe të shkencës.

Bordi përbëhet nga 7-9 anëtarë me të drejtë vote, 1-2 përfaqësues të Këshillit të Aksionarëve pa të drejtë vote dhe rektori pa të drejtë vote. Anëtarët e Bordit kanë mandat dyvjeçar me të drejtë përsëritjeje.

Shtimi i anëtarëve të Bordit ose zëvendësimi i tyre bëhet me parapëlqimin në parim të Këshillit të Aksionarëve. Në çdo rast të tillë kërkohet miratimi me shumicë absolute votash të anëtarëve të Bordit.

Anëtarët e Bordit mund të largohen nga ky organ me vullnetin e tyre. Në rast papërshtatshmërie largimi i tyre nga Bordi bëhet me anë të votimit. Në këtë rast votimi për largimin e anëtarit kërkon shumicën absolute të votave të anëtarëve të tjerë të Bordit.