Rreth Senatit

Senati është organ kolegjial, vendimmarrës dhe këshillimor. Ai merr në shqyrtim problemet më të rëndësishme mësimore dhe shkencore të universitetit, si dhe detyra të tjera të përcaktuara në ketë statut.

Anëtarësia:
a) Për shkak të detyrës: Rektori, Administratori i Deleguar, prorektorët, dekanët e fakulteteve, drejtuesit e instituteve kërkimore të UMB-së, drejtori i marrëdhënieve me publikun dhe partneritetin, drejtuesi i njësisë së cilësisë dhe standardeve.
b) Të zgjedhur: dy anëtarë nga çdo fakultet si përfaqësues të personelit akademik; një anëtar përfaqësues nga personeli administrativ dhe dy përfaqësues nga Unioni Studentor.

Mandati i anëtarëve të Senatit, që janë anëtarë për shkak të detyrës, fillon dhe mbaron me emërimin dhe lirimin nga detyra. Mandati i anëtarëve të Senatit, që janë përfaqësues të personelit akademik me kontratë pa afat, është tre vjet me të drejtë ripërtëritjeje edhe një herë. Mandati i anëtarëve të Senatit, si përfaqësues të personelit administrativ dhe atyre nga studentët, është një vit dhe me të drejtë ripërtëritjeje edhe një herë. Zëvendësimi brenda mandatit i një anëtari të Senatit bëhet me miratimin e shumicës së anëtarëve të tij. Anëtarët e zgjedhur në Senat zgjidhen me votim të anëtarëve të njësisë/strukturës që ata përfaqësojnë.

Anëtarët e Senatit, që përfaqësojnë personelin akademik, duhet si rregull të kenë titull akademik ose gradë shkencore "Doktor". Ata mund të jenë personel akademikë ose personel akademikë të ftuar. Rektori drejton mbledhjen e Senatit për shkak të detyrës dhe e përfaqëson atë në marrëdhëniet me Bordin.

Si organ vendimmarrës, Senati merr vendime me konsensus dhe kur kjo nuk arrihet ai merr vendim me shumicë të thjeshtë votash. Vendimet e tij Senati i bën të njohura nëpërmjet Rektorit. Si rregull, Senati mblidhet një herë në dy muaj me kërkesën e Rektorit. Rendi i ditës zakonisht propozohet nga Rektori dhe miratohet nga Senati. Senati mund të mblidhet gjithashtu në seanca të jashtëzakonshme me thirrjen e Rektorit ose kur këtë e kërkon 1/3 e anëtarëve të tij. Mbledhja e Senatit konsiderohet e rregullt, kur në të kanë marrë pjesë shumica e thjeshtë e anëtarëve.