Misioni dhe organizimi i bordit

Misioni i bordit
Bordi i Universitetit orienton politikat e përgjithshme të organizimit, administrimit e zhvillimit të UMB-së duke baraspeshuar politikën e ditës me planëzimin strategjik. Ai ndërmerr politika që i krijojnë mundësi universitetit të formulojë dhe kryejë misionin e vet në mënyrë të tillë që të jetë në përputhje me interesat e komunitetit dhe të vetë UMB-së.

Si hallkë ndërmjetëse midis aksionarëve dhe drejtuesve akademik-administrativë të UMB-së, Bordi ka rol këshillues për të parët dhe vendimmarrës për të dytët.

Bordi është zëri publik i universitetit në komunitet. Bordi ka stemën dhe vulën e tij. Për të realizuar misionin e tij, Bordi:

  • I rekomandon Këshillit të Aksionarëve ndryshimet e nevojshme në infrastrukturë (mjedise mësimore dhe ndihmëse, teknologji të reja të mësimdhënies dhe edukimit, literaturë, et.), në cilësinë akademike (kualifikime të trupit akademik, trajtime financiare, krijim i lidhjeve me institucione homologe, etj) dhe në veprimtaritë e universitetit (konferenca, takime, veprimtari publike, marketing, etj.);
  • Jep rekomandime dhe orienton shfrytëzimin sa më të mirë të buxhetit të UMB-së, të dërguar dhe të mbrojtur në Bord nga rektori, para miratimit përfundimtar të tij nga Këshilli i Aksionarëve;
  • Udhëzon dhe orienton për rritjen e efektivitetit të veprimtarive publike dhe të procesit të marketingut që zhvillohet në kuadër të vetë UMB-së;
  • Miraton me 2/3 e votave të anëtarëve të tij ndryshime në statutin dhe/ose në rregulloren e universitetit;
  • Nëpërmjet rektorit, dekanëve, komisioneve më të specializuara ose përfaqësuesve të nderit ndihmon e ndërhyn në krijimin e lidhjeve të UMB-së me institucione të tjera homologe, brenda dhe jashtë vendit;
  • Nëpërmjet raportimeve të rregullta të rektorit ose në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbikëqyr piketat kryesore të procesit mësimor, mbarëvajtjen e mësimdhënies, të përvetësimit, të kontrollit të dijeve dhe të nivelit të vlerësimit dhe orienton përmirësimin e tyre në vijimësi;
Organizimi i Bordit
Bordi zgjedh midis anëtarëve me të drejtë vote kryetarin e Bordit. Kryetari drejton veprimtarinë e Bordit dhe mbledhjet e tij. Në mungesë të tij këtë detyrë e kryen një anëtar i Bordit të cilit i delegohet detyra, me gojë a shkrim, nga vetë kryetari. Mandati i kryetarit është njëvjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Bordit miraton edhe një sekretar. Sekretari nuk është anëtar i Bordit, por pjesë e stafit të UMB-së. Bordi, gjatë veprimtarisë së tij, pas një këshillimi paraprak me këshillin e Aksionarëve dhe rektorin, mund të krijojë struktura ndihmëse e komisione për çështje të veçanta dhe për kohë të caktuar. Me kërkesë të Bordit, rektori i SHLUJ “Universiteti Marin Barleti” mund të caktohet anëtar pa të drejtë vote në këto komisione.