Rëndësia e Kërkimit

Kërkimi shkencor është një nga drejtimet kryesore të UMB dhe IKZHB, i cili realizohet në përputhje me kriteret dhe standartet e EQUIS , sipas kategorive të mëposhtme:

  • Kërkimi akademik - i cili ka si qëllim prodhimin dhe organizimin e dijes, zhvillimin e teorive të reja dhe promovimin e forcimin e veprimtarive kërkimore në shërbim të mjedisit akademik, të bazuara në metodologji të reja e të mirëfillta shkencore;
  • Kërkimi i orientuar drejt praktikës - kërkimi që prodhon dije të reja dhe që kontribuon nga ana e tij në përparimit e efektshëm të praktikës së menaxhimit. Së bashku me praktikat në lidhje me çështje të ndryshme ligjore (si klinikat ligjore), kjo kategori do të mbështetet nga metodologji të bazuara në vezhgime të thelluara dhe nga afër të situatave komplekse të biznesit, raste studimore, anketime ose racionalizim të përvojës së akumuluar menaxheriale dhe konsultative.
  • Zhvillimi dhe inovacioni pedagogjik - ka të bëjë me futjen dhe përdorimin e metodologjive pedagogjike, mjeteve të edukimit dhe materialeve e teknikave mësimore inovative.
Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit Barleti është ngritur posaçërisht për t'i shërbyer qëllimit kryesor të kërkimit, duke u bërë krahu kryesor i Universitetit Marin Barleti në këtë drejtim. Instituti është një njësi e angazhuar tërësisht në kërkimin që fokusohet jo vetëm në organizimin e mirë dhe rritjen e kapaciteteve të Institutit dhe Universitetit por edhe në krijimin e një mjedisi të angazhuar në kërkim brenda tyre, që mbështet përpjekjet kërkimore dhe gjenerimin e një tërësie rrethanash të volitshme për kërkimin në kontekstin e gjerë socio-ekonomik të Shqipërisë.

Të dy institucionet përpiqen që të ruajnë balancën në zhvillimin e trinomit arsim - kërkim - novacion, në përputhje me kriteret dhe standartet e BE-së.