Konsulenca Kërkimore për Studentët

Një nga objektivat kryesorë të Institutit është të mundësojë formimin dhe trajnimin e studentëve të UMB nëpërmjet kurseve dhe moduleve të ofruara në fushat e veprimtarisë së qendrave kërkimoreshkencore te tij dhe strukturave të tjera të UMB. Gjithashtu synohet që studentët të azhornohen me kërkimet më të fundit të realizuara nga UMB dhe IKZHB nëpërmjet aktiviteteve të organizuara brenda dhe jashtë kampusit si dhe botimeve të ndryshme të cilët do të pasqyrojnë rezultatet e punës kërkimore.

Puna kërkimore-shkencore do të nxitet tek studentët e nivelit të parë, duke u bërë pjesë e integruar e formimit të tyre akademik brenda UMB-së. Angazhimi në projektet e kërkimit dhe përgatitja e tezave të disertacioneve në perfundim të studimeve Bachelor dhe Master, do t'i aftësojë ata për të qenë më të pavarur në gjetjen e zgjidhjeve dhe përballimin e kërkesave të një ekonomie inovative.

Universiteti dhe Instituti do të ofrojnë për studentët e të gjitha niveleve informacione për mundësitë që ofrohen për kualifikimin e tyre nga universitete dhe qendra të tjera kërkimore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit si dhe t'i mbështesë ata në procesin e aplikimit.

Përveç stafit të tij akdemik dhe studentëve, Universiteti dhe Instituti synojnë ofrimin e dijeve dhe rritjen e aftësive tek të gjitha grupet dhe kategoritë e shoqërisë, duke ofruar "Përgatitjen për drejtuesit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës".

UMB, nëpërmjet strukturave të tij, ofron mundësinë e thellimit të njohurive për të gjithë ata që kërkojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe profesionale, nëpërmjet kurseve që variojnë nga disa ditore, deri në disa mujore. Në veçanti, ky proces do të përqendrohet në elementët kyç të trajnimit dhe rritjen e cilësisë së formimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve të institucioneve të ndryshme private e publike, nëpërmjet nxitjes dhe zhvillimit të aftësive të tyre drejtuese apo të ngritjes në karrierë, të rritjes së cilësisë dhe eficiencës së tyre në arritjen e rezultateve. Ai do të mundësojë vendosjen e standardeve për profesionistë të fushave të ndryshme, duke filluar nga ata të sistemit bankar e të sigurimeve, punonjësit e administratës publike, apo ata të korporatave të mëdha në sektorë të tillë si: telekomunikacioni, energjia etj, si dhe do të marrë në konsideratë jo vetëm domosdoshmërinë e përforcimit të aftësive themelore (përfshirë gjuhët e huaja, matematikën, komunikimin apo aftësitë kompjuterike), por edhe krijimin e aftësive të reja (drejtimi dhe manaxhimi, manaxhimi i projekteve, marketing etj), të nevojshme për t'u përshtatur me kërkesat e tregut të punës.