Komisioni Evropian, në kuadër të Marie Skłodowska-Curie Actions, programi Horizon 2020, i ka akorduar pedagogut të UB Dr. Ervis Martani bursën e ekselencës individuale për realizimin e një studimi të thelluar pranë Institutit Kombëtar të Kërkimit Shkencor në Montreal, universitet kanadez i specializuar në kërkime shkencore të aplikuara.
Gjatë tre viteve të ardhshme akademike dr. Martani do të studiojë në detaj modelin kanadez të sponsorizimit publik-privat për integrimin e refugjateve, veçanërisht për sa i përket rastit të refugjatëve sirianë, dhe mundësitë e zbatimit të këtij modeli në vendet evropiane.
Aksionet Marie Skłodowska-Curie sigurojnë kërkim ekselent dhe inovativ, zhvillimin e karrierës dhe mundësi të shkëmbimit të njohurive përmes mobilitetit ndërkombëtar dhe ndërsektorial të kërkuesve, për t'i përgatitur më mirë ato për sfidat aktuale dhe të ardhshme shoqërore.
Gjithashtu ato synojnë të forcojnë bashkëpunimin midis akademisë dhe të gjitha llojeve të organizatave jo-akademike në fushën e kërkimit shkencor, zhvillimit të karrierës dhe transferimit të njohurive.
Kjo është hera e parë që një studiuesi nga Shqipëria i akordohet një bursë individuale globale (Individual Global Fellowship) në kuadër të Marie Skłodowska-Curie Actions e cila dëshmon edhe njëherë përgatitjen e lartë akademike të stafit të UB-së dhe potencialin për të qenë konkurues në nivel ndërkombëtar.
I urojmë suksese kolegut tonë!