Më datë 8 Shkurt, studentët e vitit të tretë të programit Shkenca Politike, nën kujdesin e veçantë të Pro Rektores Akademike, Prof. Ass. Dr. Zamira Çavo, organizuan, në ambientet e “Universiteti Barleti”, forumin studentor me titull “Feja dhe shqiptarët. Një trajtim historiko-aktual”.
Ky forum, u moderuar nga Ohrida Jacelli, me pjesëmarrjen e studentëve Romario Hoxha, Paola Ymeri, Alma Hyseni, Bledar Çikaj, Alesia dhe Xhesilda Shahini, Alma Luga etj. dhe bëri bashkë në një tryezë të rrumbullakët pedagogë e studentë, gazetarë e akademikë të ftuar.
Në pjesën e parë të forumit, u prezantuan tipare karakterizuese të besimit në Shqipëri që nga ilirët e deri në ditët e sotme. Në fokus ishin: raporti nacionalizëm-fe, rëndësia e krijimit të një identiteti kombëtar përtej identiteteve fetare, vizioni ateis i periudhës komuniste dhe toleranca fetare e cila na karakterizon sot.
Në pjesën e dytë u trajtua nën një këndvështrim më të detajuar raporti fe-politikë. Sidomos gjatë mesjetës së vonë dhe kohës moderne kjo ndarje po fillonte të bëhej dukuri në Evropë ku madje edhe botëkuptimet shtetërore binin ndesh me ato fetare. U trajtuan filozofë si Makiaveli, Hobbes, Spinoza etj. por edhe se çfarë ndodh sot në botë nën siglën e fesë.
Ndërsa në pjesën e tretë të forumit, një vend të veçantë i ishte rezervuar “projektit pilot” të futjes së fesë në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, ku u trajtuan në mënyrë të veçantë pasojat dhe impakti i këtij projekti.
Edhe studentët e vitit të dytë, Esmeralda Çela dhe Joan Sumbulla, iu bashkangjitën forumit me prezantimin e projektit të tyre “Shqipëria, atdheu i harmonisë dhe tolerancës fetare”.
Në përfundim nuk munguan falënderimet dhe përgëzimet e rastit nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Marenglen Spiro, nga gazetari i mirënjohur Rezear Xhaxhiu, nga Dr. Shpëtim Cami si dhe pjesëmarrës të tjerë.