Më datë, 26. 01. 2018, në ambientet e “Universiteti Barleti”, në kuadër të
Projektit ERASMUS +, financuar nga Komisioni Evropian, më titull “Mbështetje
Strategjike në forcimin e strukturave për sigurimin e cilësisë në institucionet jopublike të
arsimit të lartë në Shqipëri” (QAinAL), u mbajt seminari me temë: “Plani i Veprimit të
Sigurimit të Cilësisë.
Prof. Dr. Marenglen Spiro, Rektor i Universitetit, përshëndeti në fjalën e mirëseardhjes
përfaqësuesit nga WUS Kosova dhe nga Universitetet Private Shqiptare (Epoka, UET,
UNYT dhe Polis). Profesor Spiro theksoi rëndësinë e këtij projekti në rritjen e
institucionale të sigurimit të cilësisë për secilin nga institucionet pjesmarrëse. Gjithashtu
në fjalën e tij, Profesori, vlerësoi frymën e bashkëpunimit dhe të koordinimit të
institucioneve pjesmarrëse, në kuadër të këtij projekti, si një vlerë e shtuar e realizimit
me sukses të objektivave dhe pritshmërive.
Në fjalën e rastit, Prof. Asoc. Dr. Semiha Loca, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe të
Shkencave të Aplikuara, krahas evidentimit të peshës që mbartin dhe përcjellin projekte
të kësaj natyre, theksoi, rëndësinë e përgatitjes së një dokumenti unik, si një produkt
konkret i këtij projekti të rëndësishëm, në formën e një handbook-u apo udhëzuesi mbi
unifikimin e politikave të sigurimit të cilësisë.
Profesor But Dedej, nga WUS Kosova, do të specifikonte se duke pasur në konsideratë
dallimet dhe specifikat ndërmjet universiteteve, projekti nuk planifikonte dot një model
unik, por kishte si synim të shprehte format e sigurimit të cilësisë, të cilat mund të
përshtateshin nga secili prej universiteteve partenere. Dy produktet konkrete sipas
Profesor Dedej, do te ishin Plani Strategjik per Sigurimin e Cilësisë dhe Plani i
Veprimit për Sigurimin e Cilësisë, të cilët edhe pse të konceptuar me ndihmën e tri
Universiteteve Evropiane (Salzburgut, Bukureshtit dhe Genove-s) duhet të reflektonin
patjetër individualitetin e secilit prej universiteteve private shqiptare të përfshira në
projektin në fjalë.
Seminari vijoi më pas me prezantimin e Profesor But Dedej, nga WUS Kosova mbi
Zhvillimin e një Plani të Qëndrueshëm dhe Efektiv të Sigurimit të Cilësisë. Pasuan më
pas prezantimet mbi planin e veprimit të cilësisë nga secili prej universiteteve
pjesmarrëse. Për “Universiteti Barleti”, prezantimi u realizua nga Dr.
Migena Kapllanaj, Drejtuese e Zyrës së Sigurimit të Cilësisë.
Seminari u përmbyll me rekomandime dhe konkluzione mbi përmirësimet e nevojshme
të planit të veprimit të sigurimit të cilësisë, për secilin nga Institucionet pjesmarrëse në
projekt.