Më datë 11 Prill, nëndrejtori i përgjithshëm për Arsimin në UNESCO, z. Qian Tang, dhe znj. Vanja Gutovic, asistente në zyrën e drejtorit të përgjithshëm për arsimin, vizituan “Universiteti Barleti”.
Gjatë këtij takimi, të organizuar në kuadër të Katedrës UNESCO “Multikulturalizmi, Dialogu ndërkulturor dhe të Drejtat e njeriut në Ballkan”, Prof.Dr. Marenglen Spiro, Rektor i UB-së, Prof.As. Zamira Çavo dhe Prof.As. Semiha Loca, respektivisht dekane të Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Sociale e Politike dhe atij të Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomisë, i uruan mirëseardhjen të ftuarëve dhe i prezantuan institucionin dhe angazhimin e tij në promovim të të drejtave të njeriut dhe dialogut ndërkulturor.
Nga ana e tij, z. Tang theksoi rëndësinë e rrjetit të Katedrave UNESCO në përmirësimin e kërkimit shkencor, zhvillimit të qëndrueshëm dhe edukimit jo vetën në nivel rajonal por dhe nw atë global. Z.Tang theksoi gjithashtu rolin e dialogut ndërkulturor në promovimin e kulturës së paqes, sidomos në rajonin ballkanik, i prekur shpeshherë nga tensione dhe konflikte ndër-etnike.
Në përfundim të takimit, Dr. Ervis Martani, drejtues i Katedrës UNESCO, prezantoi aktivitetet e zhvilluara gjatë vitit të parë të implementimit si dhe iniciativat e parashikuara gjatë 3 viteve të ardhshme.