Gjatë ditës së sotme, Departamenti i Drejtësisë pranë “Universiteti Barleti” në bashkëpunim me Drejtorinë për të Drejtat e Autorit pranë Ministrisë së Kulturës organizuan një leksion të hapur me temë "E drejta e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura me të nën dritën e ligjit të ri Shqiptar-sfida, problematika, risi".
Takimi i zhvilluar në praninë e rektorit të “Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro ishte përveçse një nga aktivitetet që kjo drejtori zhvillon në muajin e ndërgjegjësimit për të drejtat e autorit por edhe një vazhdimësi shumë e mirë e aktiviteteve të përbashkëta në zbatim të memorandumit bashkëpunues midis institucionit tonë dhe Drejtorisë për të Drejtat e Autorit.
Moderimi dhe një fjalë hyrëse u mbajt nga Përgjegjësi i Departamentit të Drejtësisë, dr. Ilir Panda i cili më pas i dha fjalën drejtorit të kësaj drejtorie z. Edmond Ahmeti i cili foli gjerësisht rreth situatës në të cilën gjenden të drejtat e autorit në Shqipëri dhe risive që sjell ligji i ri i miratuar në vitin 2016.
Më pas leksioni u vijua me një prezantim rreth të drejtës së autorit, qëllimit të saj dhe veprave të prejardhura, prezantim ky i cili u mbajt nga specialistja e komunikimit pranë kësaj drejtorie znj. Sonila Meka.
Në përmbyllje të këtij leksioni pati pyetje të shumta nga studentët e drejtësisë dhe shkencave politike të cilët iu drejtuan te ftuarve me problematika si: efektet e plagjiaturës; kohëzgjatja e shtrirjes së drejtës së autorit; fushat në të cilat ajo shtrihet etj.