Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, AIPA dhe Departamenti i Drejtësisë, në Universitetin Barleti, organizuan më datë 22 prill 2021, në kuadër të Ditës së Pronësisë Intelektuale dhe Ditës Botërore të Librit, forumin online me temë: “Zhvillimet e së drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale në Shqipëri”.
Pronësia intelektuale dhe vlera e librit në veçanti, marrin këtë vit një vlerë dhe peshë më të madhe dhe më të rëndësishme. Për këtë aspekt dhe të tjerë të lidhur me të u diskutua në këtë forum online, të moderuar nga Dr. Elona Bano, ku krahas pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Barleti, na nderoi me pjesëmarrjen e saj Znj. Ledina Beqiraj Agalliu, Drejtoreshë e Përgjithshme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
Sipas axhendës, vijoi fjala e Znj. Beqiraj, e cila pas një parashtrimi të gjerë të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, bazës ligjore si edhe të specifikave që has kjo drejtori në rregjistrimin e markave dhe të patentave, i vuri një theks të veçantë bashkëpunimit midis Universitetit Barleti dhe DPPI. Në këtë bashkëpunim parashikohet nënshkrimi i një marrëveshje, e cila do të fokusohet jo vetëm në kryerjen e praktikave profesionale, por edhe në dhënien dhe shkëmbimin e bazës së të dhënave dhe të literaturës në fushën e të drejtave të autorit dhe të pronësisë intelektuale.
Në forum morën pjesë në mënyrë aktive Dr. Olti Spiro, i cili parashtroi pyetje përsa i përket specifikave të ndryshimit ligjor dhe se çfarë pritet të ndryshohet pikërisht në të drejtën e autorit; por ashtu Znj. Eurona Leka duke i mëshuar rëndësisë së rregjistrimit të objekteve të pronësisë industriale dhe se cilat janë kriteret që duhen marrë në konsideratë për t’i konsideruar këto objekte si të tilla; si edhe Znj. Vladi, e cila për shkak të interesit të saj si drejtuese e Triple City, por edhe të studimeve kërkoi të dhëna empirike rreth markave dhe patentave të rregjistruara, si edhe sesa të aksesueshme janë të dhënat mbi objektet e pronësisë industriale të rregjistruara.
Forumi ishte mjaft interaktiv, por edhe pse nuk shteroi të gjitha pikëpyetjet mbi pronësinë intelektuale dhe atë industriale, realizoi më së miri rolin ceremonial të kremtimit të kësaj dite të shënuar.
Gëzuar Ditën e Pronësisë Intelektuale dhe Ditën Botërore të Librit!