“Creative Economy dhe Smart Development”. Mbi këto koncepte të reja në fushën e ekonomisë, Instituti “Adriapol”, në bashkëpunim me Universitetin “Barleti”, nën patronazhin e lartë të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, organizuan në datat 9 dhe 10 maj në Durrës, Forumin e parë ndërkombëtar, që kishte si qëllim vendosjen e marrëdhënieve të ngushta në fushën e ekonomisë kreative midis Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit.
Në punimet dyditore të forumit, ishin të ftuar për të referuar personalitete të larta të vendeve respektive si edhe përfaqësues të qeverive apo iniciativave të suksesshme në fushën e ekonomisë, inovacionit, turizmit, kulturës dhe arkitekturës.
Temat kyçe të diskutimeve ishin të lidhura me strategjitë politike dhe bashkëveprimi ndër-sektorial për një ekonomi të qendrueshme e krijuese si dhe koordinimi i niveleve të ndryshme vertikale qeverisëse dhe politike, si dhe harmonizimi i aktorëve dhe faktorëve të ndryshëm ekonomikë, socialë dhe kulturorë, në rajone dhe qytete.
U diskutua gjithashtu edhe mbi ringjalljen e ekonomisë përmes promovimit dhe krijimit të markave të kulturës rajonale, turizmit dhe industrive që lidhen me to; përdorimin e programeve mbështetëse të BE-së për të nxitur potencialin e kulturës, inovacionit dhe industrisë për zhvillimin në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.
Në mbyllje të punimeve të ditës së parë të Forumit, u nënshkrua edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis universitetit “Barleti” dhe “Institutit Teknologjik të Epirit”.