Qyteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar nuk është i dëgjuar vetëm për Universitetin shumë të lashtë dhe një ndër dhjetë më të shquarit në të gjithë botën por edhe sepse në këtë qytet kanë selitë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre tri organizma shumë të njohura për botën shkencore dhe atë të biznesit: Asambleja Europiane e Biznesit [EBA], Klubi i Rektorëve të Europës [CRE] dhe Klubi Ndërkombëtar i Lidërve [ICL], të cilët sëbashku formojnë një konsorcium, synimi i të cilit është promovimi në shkallë ndërkombëtare i bashkëpunimit dhe integrimit frytdhënës në fushën e dijes, të prodhimit dhe të drejtimit, përmes organizimit të forumeve të hapura për diskutim dhe dialog të vazhdueshëm si dhe evidentimi, inkurajimi dhe përhapja e arritjeve më të mira në këto fusha.
Nga data 8 - 11 Mars 2009, konsorciumi EBA-CRE-ICL organizoi në sallën e këshillit bashkiak të qytetit të Oksfordit Samitin e Lidërve, në të cilin morrën pjesë rreth 90 përfaqësues nga 18 vende të Europës, Azisë dhe Afrikës, mes të cilëve, për herë të parë, edhe nga Shqipëria. Shqipëria në këtë Samit u përfaqësua nga Universiteti "Barleti", nga Rektori i Universitetit, Prof.Dr. Nikolla Dhamo dhe nga Administratori i Deleguar, MSc Adriana Berberi, të cilët ishin të ftuar nga Presidenti i Klubit të Rektorëve të Europës, Prof. Wil Goodheer.
Tema qëndrore e Samitit të Lidërve ishte: "Krizat dhe teknologjitë e reja të menaxhimit të tyre". Samiti u zhvillua në dy forume:
Në forumin e parë, debati u përqëndrua në krizën aktuale dhe përgjegjësinë e korporatës për të dalë nga kriza dhe për të ecur përpara në kushtet e reja ekonomike.
Në forumin e dytë, debati iu kushtua bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e edukimit. Në këtë forum, Rektori i UB-së bëri një prezantim në të cilin theksoi kontributin e "Dudaj Group: në themelimin e Universitetit dhe bordit të tij. Rektori Dhmamo u ndal në punën e UB-së për rekrutimin e studentëve më të spikatur dhe implementimin e Deklaratës së Bolonjës. Në fokus të prezantimit të Rektoit ishte dhe përpjekja e Universitetit "Barleti" për të ofruar produkte edukative gjithnjë e më cilësore si dhe angazhimi për të përshtatur edukimin e lartë me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës. Në përfundim të debatit u zhvillua ceremonia e pranimit në Klubin e Rektorëve të Europës të 8 anëtarëve të rinj, ndër të cilët ishte edhe Rektori i UB-së, Prof. Dr. Nikolla Dhamo.
Samiti u mbyll me ceremoninë e ndarjes së medaljeve dhe çmimeve prestigjoze ("Socrates International Award", "Best Enterprise of Europe" "United Europe Award", "Europian Quality Award", "Queen Victoria Commemorative Medal") dhe mbrëmjen gala që u dha në hollin gjigand të Bashkisë së Oksfordit.