Jeta Studentore në UB, 17 Klube Studentore të formuara
“Barletas” është emri i dytë i çdo studenti që ndjek studimet e tij në UB. Dekani i studentëve është mbështetja e parë në çdo aktivitet që organizojnë Barletasit, brenda dhe jashtë kampuseve. Misioni i këtyre aktiviteteve është të pasurojnë zhvillimin intelektual, etik dhe social të studentëve në UB, duke i angazhuar ata më shumë në komunitet si dhe duke nxitur e zhvilluar shprehi dhe aftësi drejtuese e organizative.
Klubet Studentore në universitetin tonë janë ngritur dhe ndërtuar mbi baza akademike, të cilat kanë në plan të parë orientimin e studentit, përshtatjen e tij me jetën studentore dhe njëkohësisht pasurimin dhe zbukurimin e saj. Të gjithë klubet kanë nisur së funksionuari me lejen dhe mbikqyrjen e një anëtari të stafit akademik, dhe kanë në qendër të filozofisë së ekzistencës së tyre ekskluzivisht studentin Barletas. Grupet që merren me aktivitetet, ose të quajtura ‘klubet’ synojnë që të mundësojnë organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sociale të studentëve tanë, si dhe të zhvillojnë marrëdhënie ndërpersonale dhe aftësitë e lidershipit.
Pjesë e Klubeve Studentore janë jo vetëm studentët Barletas, por gjithashtu janë edhe gjimnazistë, kolegjistë dhe maturantë nga e gjithë Shqipëria, të cilët kanë zgjedhur secilin klub në bazë të interesave të tyre dhe mund t’a përdorin përvojën e fituar në këto klube, në karrierën e tyre të ardhshme akademike dhe profesionale. Studentët e diplomuar apo Alumni gjithashtu janë pjesë si anëtarë nderi në këto klube, duke dhënë kontributin e tyre përmes eksperiencës së mëparshme.
Sot, Universiteti Barleti ka 17 klube studentore aktive si më poshtë:
Klubi i Artit dhe i Kulturës, Klubi i Sportit dhe Rekreacionit, Klubi i Këshillimit të karierës dhe orientimit për tregun e punës, Klubi Outdoors Club, Klubi i Fotografisë, Klubi i Vullnetarëve të UB ose Klubi Shpresa, Klubi i Marketingut dhe Menaxhimit, Klubi i Ekonomistëve të rinj, Klubi i Teatrit, Klubi i Psikologëve, Klubi i Debatit dhe Komunikimit, Klubi i Liderve të rinj, Klubi i Ligjit, Klubi i Sipërmarrësve, Klubi i Librit, Klubi i Arkitektëve dhe Klubi i Programimit.