Provimet

Sezoni
Sezoni është periudha (në fund të çdo semestri) në të cilën kryhet kontrolli përfundimtar i dijes së studentit. Gjatë sezonit mund të mbrohen provimet, në përputhje me organizimin e veprimtarive formuese. Brenda sezonit përcaktohen datat në të cilat studenti duhet të paraqitet për mbrojtjen e provimit.

Provimet
Provim quhet kontrolli i organizuar, i paralajmëruar dhe përfundimtar i dijes. Provimet zhvillohen në sezonin e provimeve. Gjatë semestrit përkatësisht gjatë vitit, pedagogu organizon të paktën dy testime ose seanca kontrolli. Kur vlerësimi i dhënë është pozitiv dhe kur studenti nuk ka pretendim për rivlerësim, rezultati mbartet me "peshën" që ai ka në vlerësimin përfundimtar. Në të tilla raste, pjesa e lëndës së testuar ose të kontrolluar konsiderohet e shlyer nga studenti dhe në sezonin e provimeve studenti provohet vetëm për pjesën e mbetur. Kur vlerësimi është negativ dhe kur studenti pretendon për rivlerësim, atëherë ai gëzon të drejtën të provohet dhe të rivlerësohet përmes provimit.
Në sezonin e provimeve studenti provohet vetëm në lëndët e detyrueshme dhe në ato me zgjedhje të detyruar. Ai mund të provohet për një pjesë të lëndës ose për të gjithë lëndën, në varësi të rezultateve që ka arritur gjatë testimeve dhe seancave të kontrollit. Vlerësimi i dijes në lëndët me zgjedhje bëhet përmes seancave të paralajmëruara të kontrollit që pedagogu organizon gjatë semestrit përkatësisht gjatë vitit. Gjatë semestrit përkatësisht gjatë vitit, pedagogu organizon të paktën dy seanca kontrolli. Në rastet kur vlerësimi është negativ dhe kur studenti pretendon për rivlerësim, atëherë ai gëzon të drejtën të provohet për të gjithë lëndën edhe një herë në një seancë të veçantë, jashtë sezonit të provimeve.

Riprovimet
Studenti ka të drejtë të riprovohet në një lëndë a pjesë të lëndës në sezonin e provimeve dhe në sezonin e riprovimeve. Këtu përfshihen edhe riprovimet për përmirësimin e notës. Studenti ka të drejtë të riprovohet në të gjitha lëndët a modulet në të cilat ai ka siguruar numrin e nevojshëm të krediteve, qofshin këto lëndë a pjesë lënde ku ai është shpallur jo kalues, ose lëndë ose pjesë lëndësh të mbartura nga vitet e mëparshme. Studenti është i detyruar që detyrimet e mbartura t'i shlyejë sipas një rendi të cilin e cakton departamenti.

Provimet dhe tarifat e studimit
Në tarifën e studimit përfshihen edhe dy kontrolle të tjera të dijes së studentit, një në sezonin e rregullt të provimit dhe një në sezonin e riprovimit. Marrja në provim e studentit jashtë këtyre sezoneve bëhet vetëm kundrejt pagesës përkatëse. Bëjnë përjashtim rastet për përmirësimin e notës, për të cilat riprovimi ofrohet falas.

Praktikat profesionale dhe stazhet
Nëpërmjet praktikave profesionale dhe stazheve, studentët kanë mundësi të aplikojnë dijen teorike në praktikë në një ambjent profesional. Praktikat profesionale dhe stazhet vlerësohen me kredite si veprimtaritë e tjera formuese, bazuar në orët e punës që studentët kryejnë efektivisht sipas planit mësimor të universitetit. Në përfundim të praktikës profesionale ose stazhit studentët vlerësohen nga udhëheqësi i tyre me notë.

Provimi përfundimtar
Të gjitha programet e studimit parashikojnë një provim përfundimtar, që konsistojn me tezën e provimit perfundimtar ose me punim teze diplome me karakter kërkimor origjinal, e cila përpunohet nën udhëheqjen e një pedagogu.