Kurrikulat dhe Silabuset

Plani mësimor (kurrikula)
Plani mësimor nënkupton tërësinë e veprimtarive formuese (leksioneve, seminareve, praktikave, etj.) që universiteti ofron për marrjen e diplomës në një program studimi. Në planin mësimor përfshihen disiplinat e formimit bazë, disiplinat karakterizuese, disiplinat integruese, lëndët me zgjedhje, veprimtaritë formuese për njohjen e gjuhës së huaj, aftësitë informatike, praktikat, apo stazhet, si dhe përgatitja e tezës së diplomës, të nevojshme për plotësimin e procesit akademik formues.

Disiplinat - Lëndët mësimore
Lëndët mësimore të një programi studimi mund të përbëhen nga një, ose disa pjesë dhe mund të zhvillohen nga një ose disa pedagogë. Ato grupohen si më poshtë:

  • disiplina bazë, ose formuese në një ose më shumë grupe disiplinash që lidhen me formimin e përgjithshëm;
  • disiplina karakterizuese, ose formuese në një ose më shumë grupe disiplinash që karakterizojnë përkatësinë e programit të studimit;
  • disiplina integruese, ose formuese në një ose më shumë grupe disiplinash të ngjashme ose/dhe integruese me disiplinat karakterizuese që lidhen kryesisht me formime ndërdisiplinore, njohuri ekonomike, juridike, etj.;
  • disiplina me zgjedhje, ose të zgjedhura nga vetë studentët, ndërmjet atyre të ofruara nga institucioni dhe koherente me programin e studimit, të realizuara gjatë viteve akademike të programit të studimit;
  • veprimtari për përftimin e aftësive në gjuhë të huaj, aftësive informatike dhe telematike, komunikuese dhe prezantuese, ose përgjithësisht të aftësive që lehtësojnë hyrjen në
  • tregun e punës, sikurse dhe aktivitete formuese që lidhen me praktikat profesionale;
  • veprimtari formuese që lidhen me përgatitjen e tezës së diplomës.
Silabusi
Për secilën lëndë ofrohet një përmbledhje, qe quhet ndryshe edhe program lendor, ose silabus, ku pasqyrohet informacioni dhe të dhënat lidhur me përmbajtjen e lëndës, ngarkesën mësimore të saj, organizimin në veprimtari formuese, kërkesat e pedagogut për përgatitjen e lëndës, kompetencat profesionale të pritshme, literaturën e këshillueshme si dhe mënyrën e vlerësimit.

Veprimtaritë formuese për studentin
Çdo program studimi karakterizohet nga veprimtaritë formuese të cilat grupohen në mësim në auditor (leksione, seminare, ushtrime, laborator), studim individual (studim, punim relacionesh, detyrash apo projektesh, përgatitje provimesh, përgatitje e tezës së diplomës, etj) dhe veprimtari të tjera (si praktika profesionale apo stazh).