Kreditet

Kreditet
Kreditet janë njësia matëse e punës mësimore të studentit, ku përfshihen mësimi në auditor dhe mësimi individual. Një krediti i korrespondojnë 25 orë ngarkesë pune të studentit. Kreditet i jepen studentit si njohje e arritjeve të verifikuara për një nivel specifik nëpërmjet mësimit, studimit paraprak dhe punës së kursit.

Kreditet e fituara
Kreditet konsiderohen të fituara në një lëndë, ose pjesë lënde, kur studenti vlerësohet me notë kaluese në atë lëndë, ose pjesë lënde. Kreditet e fituara brenda universitetit janë të gjitha të transferueshme, ndërsa kreditet e fituara jashtë tij transferohen vetëm pjesërisht.

Akumulimi i krediteve
Akumulimi i krediteve është procesi i mbledhjes së krediteve në kuadrin e programeve për diplomë. Në një sistem akumulimi kreditesh, është e nevojshme të fitohen një numër i caktuar kreditesh për të përfunduar me sukses një program studimor ose pjesë të tij. Kreditet fitohen dhe akumulohen vetëm pasi arritja e rezultateve të kërkuara të nxënies të konfirmohet nëpërmjet vlerësimit. Studentët mund të përdorin sistemin e akumulimit të krediteve për të transferuar, ose depozituar kreditet e fituara brenda dhe ndërmjet institucioneve të arsimit. Kreditet janë të transferueshme mes programeve të të njëjtit institucion, mes institucioneve të ndryshme në të njëjtin vend, ose ato ndërkombëtare. Universiteti vlerëson nëse kreditet e fituara jashtë tij mund të pranohen si pjesë e punës së nevojshme për marrjen e diplomës.

Kreditet e siguruara
Kreditet konsiderohen të siguruara kur studenti ka përmbushur detyrimet e tij lidhur me frekuentimin, detyrat, testimet, apo seancat e kontrollit të zhvilluara gjatë semestrit ose vitit akademik, por për arsye të ndryshme ende nuk është provuar për lëndën, ose pjesën e lëndës përkatëse. Kreditet e siguruara mbeten të tilla edhe në rastin e ndërprerjes së studimeve për arsye objektivisht të pranueshme.