Studime doktorale

Rreth programit
Universiteti Clemson në Karolinën e Jugut SHBA, në bashkëpunim me SHLUJ "Universiteti Marin Barleti", Tiranë, ofrojnë programin e Doktoratës "Studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin". Programi ofrohet nga Universiteti Clemson në Tiranë në ambjentet e SHLUJ "Universiteti Marin Barleti".

Nëpërmjet këtij programi Universiteti Clemson synon të afrojë së bashku profesionistë dhe kërkues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Rajoni i Ballkanit, me qëllim krijimin e një grupi profesionistësh dhe studjuesish të një niveli të lartë, duke ju mundësuar të kualifikohen me cilësi të lartë, kosto më të ulët dhe pa u shkëputur nga aktivitetet aktuale.

Ky program është një mundësi e shkëlqyer kualifikimi për profesionistët e shkencave sociale, humane, ligjore, mjekësore dhe të tjerë të interesuar me eksperiencë në fushë. Duke studjuar në Tiranë, studentët do të kenë mundësi të punojnë me kurrikulën e një universiteti prestigjoz amerikan, profesorët dhe metodat e tij, dhe në fund do të marrin titullin Ph.D. nga Universiteti Clemson.

Përshkrimi i kurseve

  • FCS 810 Jeta në komunitetin global (E detyrueshme)
    Shqyrton perspektivat globale dhe tendencat që përkojnë me mirëqenien sociale, psikologjike, ekonomike, dhe fizike të fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, si dhe grupeve të zgjedhura të organizuara përfshirë familjen, institucionet parësore të shoqërisë dhe shoqërinë civile; shembuj të adaptimit dhe rezistencës ndaj globalizimit; shqyrtimin e tensioneve midis nevojave të tregut të sotshëm, shoqërisë, individëve dhe familjeve; analizën dhe shqyrtimin krahasues të efekteve të globalizimit në jetën e përditshme në vendet e zgjedhura.
  • FCS 811 Zhvillimi human dhe jeta e familjes në kontekstin kulturor (E detyrueshme)
    Shqyrton kontekstin kulturor në zhvillimin e njeriut dhe jetës familjare, ndikimet e kulturës në zhvillimin fizik, njohës dhe social; vlerësime analitike dhe krahasuese të ndikimeve të përvojave të ndryshme mjedisore në funksionimin e individit dhe familjes; zbatimet praktike të perspektivës ndërkulturore për zhvillimin njerëzor dhe të familjes; shqyrton statusin e zhvillimit njerëzor në mbarë botën dhe efektet e globalizimit në zhvillimin njerëzor në SHBA dhe kulturat e përzgjedhura jashtë vendit. Parakusht: FCS 810 ose sipas miratimit të pedagogut.
  • FCS 836 Studime në fushën kulturore (E detyrueshme)
    Zgjeron njohuritë e studentëve për natyrën e familjes dhe jetës në komunitet në rajone të ndryshme të botës (p.sh. në Evropën Lindore; Lindjen e Mesme; Amerikën Latine; Karaibet). Temat përfshijnë tendencat politike, sociale dhe ekonomike; transformimet politike dhe ekonomike; çështjet ndërkulturore; globalizimin; të drejtat e njeriut; dhe shoqërinë civile.
  • FCS 820 Legjislacioni ndërkombëtar për të drejtat e njeriut (E detyrueshme)
    Shqyrton legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Në këtë kurs i kushtohet vëmendje origjinës së legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, shfaqjes së legjislacionit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, çështjeve që kanë të bëjnë me zbatimin e legjislacionit për të drejtat e njeriut, pozitën e SHBAsë në lidhje me ratifikimin e traktateve të të drejtave të njeriut, proceset për monitorimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut nëpër botë, dhe trajtimin e të drejtave të njeriut në gjykata. Temat përfshijnë diskutimin e parimeve kryesore të cilat qëndrojnë në themel të dispozitave të traktateve dhe tendencat në zhvillimin e traktateve.
  • FCS 851 Legjislacioni ndërkombëtar dhe politikat për çështjet e fëmijëve (Me zgjedhje)
    Analiza krahasuese e ligjit dhe politikave mbi çështjet e fëmijëve. Në këtë kurs i kushtohet vëmendje instrumenteve të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht Konventës për të Drejtat e Fëmijës, si dhe koncepteve gjegjëse në ligjet dhe politikat e vendeve të ndryshme, përfshirë dhe SHBA.
  • FCS 852 E drejta shëndetësore (Me zgjedhje)
    Shqyrton marrëdhëniet mes shëndetit dhe të drejtave të njeriut duke e vënë theksin në zbatimin e qasjes së bazuar mbi të drejtat që lidhen me interesat shëdetësore të fëmijës, familjeve dhe komuniteteve. Temat përfshijnë diskutimin e përmbajtjes dhe formave të të drejtës për shëndet dhe të prirjeve të reja në të drejtën për shëndetin dhe të drejtat e njeriut. Parakusht: FCS 820 ose sipas miratimit të pedagogut.
  • FCS 830 Zhvillim komuniteti: parimet dhe praktikat (E detyrueshme)
    Teoria krahasuese dhe praktika e zhvillimit të komunitetit, ndërtimi i komunitetit dhe transformimet e komunitetit që mbështesin mirëqenien e fëmijëve, të të rinjve dhe familjes; shembuj të zhvillimit të komunitetit në SHBA dhe shembuj të përzgjedhur ngavende të tjera.
  • FCS 831 Transformimi i komunitetit (E detyrueshme)
    Një kurs i avancuar për teoritë e transformimit të komunitetit, besimet dhe praktikat fetare; diskutimi dhe ilustrimi i ndryshimeve të mëdha të paradigmave brenda tri dekadave të fundit në mënyrën sesi është menduar dhe zbatuar zhvillimi i komunitetit; studimet e rasteve për transformimin e komunitetit nga vendet e zgjedhura. Parakusht: FCS 830 ose sipas miratimit të pedagogut.
  • FCS 832 Politikat dhe programet në shërbimet humane (Me zgjedhje)
    Shqyrton filozofinë, teoritë, dhe parimet për organizimin e shërbimeve humane në të gjitha shtetet e përzgjedhura, duke theksuar strategjitë dhe pengesat për zhvillimin e bashkëpunimeve brenda dhe ndërmjet organizatave qeveritare dhe joqeveritare. Me interes të veçantë është mbështetja e fëmijëve dhe e familjes në nivel të komunitetit (p.sh., lagje, fshat, dhe qytet); zbutja e varfërisë, kujdesi shëndetësor; arsimimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme; dhe përkrahja për të moshuarit.
  • FCS 833 Ndihma humanitare (Me zgjedhje)
    Hyrje në ndihmat humanitare me theks të veçantë në studimin e terminologjisë përkatëse dhe konceptet që lidhen me refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit. Temat e mbuluara përfshijnë sfondin historik, statusin aktual, faktorët përcaktues, çështjet ligjore, si dhe ofrimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore. Pjesë me rëndësi janë edhe përdorimi i shumë shembujve aktualë dhe të kaluar nga përvoja me refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit si dhe nga konfliktet etno-politike dhe të terrorizmit si burimet kryesore të krizave humanitare. FCS 830 ose sipas miratimit të pedagogut.
  • FCS 892 Skicimi i kërkimit dhe metodat sasiore I (E detyrueshme)
    Kursi analizon procesin dhe teknikat e kërkimit social, duke i vënë një theks të veçantë metodatve sasiore dhe të kombinuara. Çështjet përfshijnë natyrën dhe bazat e kërkimit; matjet; kampionimin; metodat e mbledhjes së të dhënave; dhe planin e kërkimit. Vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit të kërkimeve në nivel ndërkombëtar.
  • FCS 892 Skicimi i kërkimit dhe metodat sasiore II (E detyrueshme)
    Ky kurs mbulon çështje të skicimit të kërkimit me shumë ndryshore, duke theksuar elementet kritikë të kërkimit në përzgjedhjen e metodave të përshtatshme kërkimore. Kursi analizon parimet më të rëndësishme të skicimit të kërkimit. Vëmendje e veçantë i kushtohet kërkimit në terren dhe me bazë në komunitet, dhe kërkimit në nivel ndërkombëtar. Kursi është një kombinim i leksioneve me diskutimet.
  • FCS 840 Tema të kërkimeve ndërkombëtare dhe për shoqërinë (Me zgjedhje)
    Mbulon çështjet e zgjedhura në skicimin e kërkimit dhe analizën e të dhënave ku vëmendje e veçantë i kushtohet kërkimit në terren dhe atij në komunitet, si dhe kërkimit në nivel ndërkombëtar.
  • ANTH 603 Metoda cilësore (me zgjedhje)
    Metodat dhe teknikat e kërkimit cilësor në fushë duke përfshirë vëzhgimin me pjesëmarrje, intervistimin etnografik, analizën e të dhënave dhe shkrimin e raportit.
  • SOC 805 Kërkimi vlerësues (me zgjedhje)
    Metodat e kërkimit dhe teknikat e menaxhimit të të dhënave me ndihmën e kompjuterit dhe analizat
    e përdorura në vlerësimin e politikave, veprimeve, organizimin dhe efektivitetin e programeve sociale në sektorin privat dhe publik; paketat e softwar-eve mikrokopjuterike që përdoren për këto qëllime.
  • SOC 803 Skicimi i sondazhit (me zgjedhje)
    Parimet e skicimit të sondazhit kërkimor, procedurat dhe teknikat që përdoren në sociologjinë e zbatuar, instrumentet; mbledhja, menaxhimi dhe interpretimi i të dhënave.
  • FCS 991 Disertacioni (18 kredite) [Puna për disertacionin fillon pas fitimit të statusit të kandidatit për gradën]