Barleti press

Misioni i Barleti Press:
- Duke ftuar studiuesit më të mirë Barleti Press aspiron në transformimin e panoramës intelektuale e kulturore të vendit. Të bindur se idetë akademike janë të rëndësishme, ne zhvillojmë ato dije që ushtrojnë influencën e tyre brënda dhe jashtë universitetit. Nga ana tjetër, Barleti Press është një qendër akademike që inkurajon debatin intelektual.

- Barleti Press është një botues i pavarur me lidhje të ngushta me Universitetin Marin Barleti. Misioni ynë themelor është të përhapim njohuritë shkencore si brënda botës akademike, ashtu edhe në mesin e lexuesit të gjerë.

- Ne përzgjedhim për botim vetëm punime shkencore të nivelit të lartë, pavarësisht interesit të tregut për to: monografi të specializuara, të cilat sjellin një kontribut origjinal në njohuritë në disiplina të caktuara; vepra akademike ndërdisplinore që synon lexuesit e më shumë se një fushe shkencore, tekste që janë për përdorim të studentëve në nivel universitar e pasuniversitar, por edhe libra që i drejtohen një publiku më te gjerë e të arsimuar. Shumë prej këtyre titujve mund të përdoren në auditore si materiale bazë apo suplementare leximi.

- Nëpërmjet botimit të punimeve shkencore me nivel të lartë, Barleti Press përmbush një pjesë të misionit të Universitetit Marin Barleti që është përhapja e njohurive më të fundit shkencore, përgatitja sa më serioze akademike e studentëve dhe përmirësimi i kurrikulave mësimore për studentët e të gjitha niveleve.

- Barleti Press është një ent botues që, nëpërmjet botimeve akademike cilësore që kryen, i është përkushtuar mbështetjes për mësimdhënien universitare dhe procesin kërkimor shkencor.

Botimet e Barleti Press
- Barleti Press boton libra mbi studimet ligjore, ekonomike, shkencat humane në përgjithësi, si shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, histori, histori e mendimit politik, studime mbi shoqërinë e sotme, mbi proceset politiko sociale që lidhen me periudhën e tranzicionit, studime mbi qeverisjen, mbi median, etj. Barleti Press përpiqet në vazhdimësi të konsolidohet si botues serioz duke zgjeruar listen e burimeve që do të përfshijë si autorë vendas, ashtu edhe të huaj. Barleti Press do të jetë bashkëpunues për autorë që kërkojnë të botojnë dorëshkrime të një niveli të lartë akademik, por do të marrë edhe vetë iniciativa për të promovuar libra individualë dhe seri tematike.

- Këtu do të futen monografi, ose libra të ndryshëm specialiteti, botim i materialeve arkivore, por edhe libra të një cilësie të lartë të destinuar për një lexues të fushave të specializuara akademike, por edhe të një spektri më të gjerë.

- Ne veprojmë në bazë të standarteve të përbashkëta me universitetet më të mira evropiane, përfshirë këtu recensën paraprake të materialeve të destinuara për botim (peer review) dhe miratimin e tyre nga ana e një komisioni redaktorësh.

Vizioni i Barleti Press:
- Eshtë të plotësojë me seriozitetin maksimal akademik dhe në vazhdimësi kërkesat për literature të një niveli të lartë shkencor të botës universitare dhe akademike në vend.

- Botimet e Barleti Press synojnë të kalojnë nga botimi i librave të veçantë akademikë në botimin e kolanave tematike për fusha të ndryshme akademike.

- Botimi i kolanave realizon plotësimin në mënyrë koherente të nevojave për literature bazë dhe plotësuese të studentëve dhe studiuesve në proçesin mësimor dhe atë kërkimor.

Rregullat e botimit të dorëshkrimeve të Barleti Press
- Barleti Press mirëpret paraqitjen e propozimeve për botime në fushat në të cilat ajo boton. Në përgjithësi propozimi për botimin e një libri duhet të përfshijë informacionin vijues:

1. Koncepti i librit
a) Një përmbledhje e shkurtër e argumentit kryesor të librit.
b) Një shpjegim rreth kontributit akademik që synon të sjellë libri.

2. Audienca
a) Një përshkrim i shkurtër në lidhje me audiencën e interesuar për këtë libër.
b) Renditni fushat kryesore akademike, të cilave u referohet libri.
c) Renditni kurset e mundshme universitare që do të mbulonte ky libër.
d) Renditni tre ose katër libra që janë shkruar më parë për këtë temë. Shpjegoni se si libri juaj ndryshon nga të tjerët .

3. Libri
a) Përfshini në kërkesën tuaj një Tabelë Lënde të librit që propozoni, duke dhënë përmbledhje të shkurtëra të kapitujve.
b) Një numër të përafërt të fjalëve të librit në versionin përfundimtar në Word.
c) Përmendni nëse libri do të ketë foto, grafikë, apo ilustrime të tjera.
d) Një datë të përafërt të dorëzimit të variantit përfundimtar të dorëshkrimit.
e) Nëse libri i propozuar do të jetë përmbledhje artikujsh, atëhere duhen përfshirë CV të shkurtëra të kontribuesve.

Përveç këtyre informacioneve, ju lutemi përfshini në dosjen tuaj dy shembuj kapitujsh (preferohet që një nga kapitujt të jetë hyrja e librit), një CV, adresa juaj e email, nr. tel. dhe adresa e banimit. Dërgimi i materialit preferohet me postë.

Leja për të përdorur materialet e botuara nga Barleti Press
Për të kërkuar lejen për të kopjuar materiale të botuara nga Barleti Press, ju lutemi dërgoni një letër ose fax që përmban një informacion të plotë mbi këtë material (autorin, titullin e librit, një përshkrim të plotë të materialit që do të shtypet dhe një përshkrim i shkurtër i projektit tuaj në lidhje me përdorimin e tij). Nëse materiali i kërkuar do të përdoret si literaturë për kurs shkollor, ju lutemi tregoni numrin e përafërt të studentëve që do të marrin pjesë në leksione. Në rast se materiali do të shtypet si libër, atëhere duhet të bëni të ditur tirazhin e propozuar, çmimin e librit dhe datën e prishtme të botimit.