Cilesia Akademike

Për kete vit akademik, Universiteti "Marin Barleti" synon zbatimin dhe aktualizimin e disa prej objektivave më të rëndësishëm në qendër të planit të vet strategjik, si:

  • Riorganizimi cilësor i programeve të studimit të ciklit të parë;
  • Konceptimi dhe organizimi i programeve të studimit të ciklit të dytë dhe të tretë;
  • Promovimi sa më i frytshëm i formimit akademik;
  • Integrimi i mirëfilltë mes veprimtarive formuese teorike dhe praktike, për të përditësuar dhe zhvilluar cilësinë e ofertës akademike.
Fakultetet janë përforcuar me personel akademik cilësor që zhvillon veprimtari të rregullt akademike, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me pedagogë të ftuar vendas dhe të huaj që zhvillojnë cikle leksionesh ose pjesë të programeve të studimit. Ky shkëmbim kompetencash dhe eksperiencash mësimore, u mundëson studentëve një përgatitje bashkëkohore në përputhje me standardet europiane dhe në linjë evolutive me profesionet dhe kërkesat e një tregu pune gjithnjë e më global.

Universiteti "Marin Barleti" ofron programe sfiduese për studentët e motivuar ose të interesuarit për vazhdimin e mëtejshëm të studimeve universitare, që përballen me një sistem përzgjedhjeje bazuar në rezultatet e shkollës dhe në aftësitë e tyre individuale. Qëllimi është të sigurohet cilësia e studentëve, nivele të larta akademike të kushteve të studimit, të shërbimeve të ofruara dhe të promovojë potencialet më të mira, angazhimin, motivimin dhe rezultatet individuale. Për nxënësit e përparuar, janë parashikuar gjithashtu programe të ndryshme të mbështetjes ekonomike.

Kurrikulat e Universitetit "Marin Barleti" mundësojnë që studenti të pajiset me Kompetenca Instrumentale (kapacitet për analizë dhe sintezë, për organizim dhe planifikim, njohuri themelore të përgjithshme, mbështetje në njohuritë bazë të profesionit, aftësi komunikimi me gojë e shkrim, njohje e një gjuhe të huaj, aftësi për menaxhim e informatikë, aftësi për të zgjidhur probleme, për vendimmarrje); Kompetenca ndërpersonale (aftësi kritike dhe autokritike, për të punuar në ekip, aftësi ndërpersonale, për të komunikuar me ekspertë të fushave të tjera, vlerësim të larmisë shumë-kulturore, aftësi për të punuar në kontekst ndërkombëtar, përkushtim etik); Kompetenca sistemore (kapacitet për të zbatuar njohuritë në praktikë, aftësi hulumtuese, kapacitet për të nxënë, për t'u përshtatur në situata të reja, për të krijuar ide të reja, për të udhëhequr, për të mirëkuptuar kulturat e vendeve të tjera, për të punuar në mënyrë të pavarur, për të hartuar e menaxhuar projekte, për të pasur iniciativë dhe frymë sipërmarrëse, vullnet për të pasur sukses).